Detajet nga sulmi në Finlandë ku një nga të plagosurat është shqiptare! Arsyeja e ngjarjes, bullizmi

04/04/2024 13:18

Sulmi i armatosur në një shkollë fillore në Finlandë me autor një 12-vjeçar, ishte pasojë e bullizmit pohoi policia e vendit nordik.

I mituri sipas saj, kishte marrë pistoletën e një të afërmi e më të, qëlloi mbi tre nxënës të tjerë të së njëjtës moshë me të në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit e kërcënoi disa të tjerë. Një prej nxënësve vdiq, ndërsa një prej dy të tjerëve që mbetën të plagosur mësohet se është një vajzë nga Kosova. Ajo dhe e plagosura tjetër janë duke marrë trajtim në spital. Autori i ngjarjes së rëndë, shtetas finlandez, e pranoi përpara forcave të rendit kryerjen e aktit.

Ai ishte transferuar në këtë shkollë në fillim të vitit 2024, pohuan hetuesit. Lajmin se mes të lënduarve ishte dhe një vajzë shqiptare e konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. Ajo nuk dha hollësi të tjera, por njoftoi se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vajzës. Në nder të fëmijës së vrarë në këtë sulm, e mërkura në Finlandë u shpall ditë zie kombëtare.

Shkalla e bullizmit në shkolla në Finlandë është rritur, me 8.6 për qind të nxënësve të moshës rreth 12-vjeçare thonë tani se kanë qenë viktima të këtij fenomeni të paktën një herë në javë.

Incidentet e fundit madhore të këtij lloji në Finlandë ishin ato të vitit 2007, kur Pekka-Eric Auvinen pati vrarë shtatë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një pushkë dore në shkollën e mesme “Jokela”, afër Helsinkit e një vit më vonë, në më 2008, Matti Saari, një tjetër student, pati shtënë me armë në një shkollë profesionale në veriperëndim të Finlandës. Ai i ka vrarë nëntë studentë, një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten.

Top Channel