“Ne i shërbejmë të gjithëve”, Albin Kurti viziton komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

03/04/2024 20:30

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se çdo tendencë për destabilizimin e vendit vjen nga Serbia, ndërsa shprehu përkushtimin e tij që të mbështesë qytetarët serbë të Kosovës.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite të paparalajmëruar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që drejtohen nga kryetarët shqiptarë, ndërsa po bëhen përgatitjet për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

“Jam këtu për të treguar se qeveria e Kosovës është një qeveri demokratike që është këtu jo si superstrukturë për popullatën, por si infrastrukturë për të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Ne i shërbejmë të gjithëve dhe besojmë se duhet të bashkëpunojmë përmes ekonomisë, tregtisë dhe kulturës, por do të theksoja bujqësinë”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se është kundër ndarjeve në shoqërinë e Kosovës.

“Institucionet tona duhet t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe t’u mundësojnë qasje në sistemin institucional”, tha ai.

Qeveria e Kosovës e cila po përballet me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, është pajtuar të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.

Vizita e kryeministrit Kurti në veri, nxiti reagimin e ashpër të zyrtarëve serbë në Serbi e Kosovë.

Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, tha përmes një komunikate se ardhja e Kurtit në veri me formacione parapolicore synonte të destabilizojë situatën në terren dhe të shkaktojë tensione. “Pas kësaj shfaqjeje cirku, padyshim që (Albin) Kurti i trembur, sikurse të gjithë pushtuesit u kthyen, dhe ne qëndruam në veri të Kosovës, sepse ky është vendi ynë, këto janë qytetet dhe komunat tona”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbinë, Petar Petkoviç përmes një deklarate tha se vizita e Albin Kurtit në veri është një kërcënim i ri ndaj serbëve në veri dhe veprim me të cilin synon nxitjen e tensioneve të reja.

“Më lejoni të jem i qartë – (Albin) Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës ku nuk është i mirëpritur”, tha ai duke nënvizuar se vetëm një ditë para vazhdimit të dialogut në Bruksel Albin Kurti ka vendosur të nxisë tensione të reja në veri të Kosovës.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të enjten në Bruksel për të vazhduar diskutimet me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Zoti Lajçak në fillim të javës shprehu besimin se palët do të jenë në gjendje të kapërcejnë dallimet.

Rregullorja e Bankës Qendrore që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën gjatë vizitës në veri se Kosova dëshiron të gjejë zgjidhje ligjore për të gjitha problemet që janë ngritur.

“Unë nuk jam kryeministër që vendos për Bankën Qendrore të Kosovës. Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush nuk e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se nuk është kundër ndihmës financiare për serbët, por sipas tij, duhet të dihet se kush po merr para dhe për çfarë.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive./VOA

Top Channel