Një ditë para takimit të radhës të kryengociatorëve në Bruksel ka optimizëm se do të arrihet një zgjidhje për çështjen e dinarit.
Njohësit e procesit të dialogut vlerësojnë se në takimin e tretë ndërmjet kryengociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviç do të gjendet kompromisi edhe me insistimin të BE-së. Sipas tyre, pala kosovare duhet të insistojë në ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit, por të pajtohet për një zgjidhje tranzicioni ku nuk dëmtohen qytetarët serbë në Kosovë.
Politologu Fidan Ukaj thotë për KosovaPress se duke parë dinamikën e takimeve të shpeshta në Bruksel, por edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar do të arrihet një dakordim për çështjen e dinarit.
“Jam optimist se do të jetë një zgjidhje nga takimi i radhës, duke parë edhe dinamikën e takimeve të shpeshta për zgjidhjen e kësaj problematike, po ashtu edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar që të ketë zgjidhje. mundësisë që nga propozimet e ofruara nga të dy palët që njëra nga këto propozime të jetë zgjidhja e këtij ngërçi për çështjen e dinarit…Të largohet ky informalitet i cili ka qenë i theksuar, sidomos në lokalitetet ku ka theksuar komuniteti serb. Të respektohet ligjshmëria dhe Kushtetuta e Kosovës, të eliminohet një monedhë e cila ka qenë duke operuar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës”, thotë ai.
Optimist shprehet edhe njohësi i procesit të dialogut, analisti Dorajet Imeri, i cili pret që palët në takimin e së enjtes të dakordohen për çështjen e dinarit.
“Natyrisht, se mund të prodhojë një zgjidhje, sepse ka pasur intensitet në vazhdimësi dhe kërkesë të Bashkimit Evropian si lehtësuese e këtyre bisedimeve që të ketë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme…Unë pres që palët të dakordohen për një zgjidhje, por kjo zgjidhje besoj se nuk do t’i jap menjëherë fund kësaj çështje. E keqja është se Serbia në vazhdimësi çdo veprim politik që e ka marrë Kosova e ka kthyer në negociatat ose kërkesë për të negociuar. Çështjet e brendshme të Kosovës i ka kthyer si çështje të dialogut të ndërsjellë. Kjo ka dy efekte negative, e para e stërgjatjes së mundësisë për të prodhuar shpejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e dyta që e konteston çdo gjë që Kosova ndërmerr, edhe nëse ajo është tërësisht legjitime dhe legale. Bashkësia ndërkombëtare nuk guxon se për shkak të interesave të saj periodike të paraqesë si të vetmen alternativ negociatat. Disa gjëra janë thjesht vendime sovrane të Kosovës”, thekson Imeri.
Përkundër takimeve në dy javët e fundit Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur një dakordim për çështjen e dinarit. Pas takimit të javës së kaluar, kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.
Sipas tij, pala kosovare ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi./KosovaPress
Top Channel