Identifikohet shoferi i mjetit ku humbën jetën 7 emigrantë të vendeve të treta.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat, dyshohet se shoferi i cili po ashtu mbeti i vdekur, është Edison Bregaj.
Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa sipas policisë shoferi nga Shkodra ka shtuar shpejtësinë e mjetit, për t’i iku patrullës së policisë që e kishte pikasur në këtë aks.
Këlcyrë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.
Top Channel