Ushtria gjermane, shërbesa për myslimanët: 3000 të tillë në Bundeswehr

01/04/2024 15:39

Ministria Gjermane e Mbrojtjes po punon për të futur shërbime të kujdesit fetar për ushtarët myslimanë në Bundeswehr.

Kryetarja e Komisionit për Forcat e Armatosura në Bundestag, Eva Högl prezantoi në mes të marsit raportin e saj vjetor që përfshin edhe shqetësimet e nevojat e ushtarëve gjermanë, e me këtë rast, përsëriti thirrjen për futjen e kujdesit fetar për myslimanët në ushtri.

Hogel kujtoi misionin e ndihmës së ushtrisë gjermane që zgjati disa javë në Turqinë juglindore pas tërmetit shkatërrues në shkurt të vitit 2023. Asokohe, në operacionin e shpëtimit morën pjesë edhe ushtarë myslimanë. Megjithatë, kujdesi fetar në misione u ofrua nga dy klerikë  ushtarakë jomuslimanë.

Një peticion drejtuar Komisionit të Forcave të Armatosura tregon se “anëtarët e Bundeswehr-it të besimit islam ndonjëherë janë ndjerë të lënë pas dore në lidhje me praktikën e tyre fetare”. E pyetur nga Deutsche Welle, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes u përgjigj se sipas një studimi të vitit 2023, numri i ushtarëve të fesë islame në Bundeswehr llogaritet në 3000 persona. Pothuajse 25 vjet më parë, Qendra për Lidership të Brendshëm, e cila trajton edhe identitetin e Bundeswehr-it, prezantoi një punim të titulluar “Myslimanët në Bundeswehr”.

Thirrja për kujdes fetar islam është dëgjuar për më shumë se dhjetë vjet. Peshkopi ushtarak protestant Bernhard Felmberg thotë se kujdesi fetar siguron lirinë fetare të garantuar me kushtetutë për ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak. “Meqenëse myslimanët po shërbejnë gjithnjë e më shumë në Bundeswehr, unë mbështes fuqimisht propozimet që t’u jepet këtyre ushtarëve mundësia për të marrë kujdesin baritor në besimin e tyre“, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA