E PLOTË/ PS hetim portaleve të rublave! Ndikimi rus, zbulohet arsyeja se përse socialistët duan Komision Parlamentar

01/04/2024 19:32

Zbulohet arsyeja se përse tani shumica socialiste, kërkon ngritjen e një Komisioni  të Posaçëm parlamentar me 13 anëtarë  “për ndërhyrjet e huaja në Shqipëri dhe dezinformimin”.

Një prej firmëtarëve të kësaj kërkese tashmë depozituar në kuvend, i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu,  se gjatë viteve të fundit SHISH së bashku me AISM “Agjencinë e Inteligjencës të Sigurisë të Mbrojtjes”, kanë mbledhur informacione të bollshme për shtrirje të influencës ruse dhe kineze në vendin tonë, në forma të ndryshme por edhe përmes disa portaleve të caktuara.

Prandaj në këtë kërkesë për ngritjen e këtij komisioni, një prej objektivave është kalimi në skaner i portaleve dhe financimeve të errëta të tyre.

Në kërkesës thuhet:

“Komisioni i Posaçëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile”.

Në një kohë kur Rublat ruse në dy raste u mpleksën me politikën shqiptare, ky komision i posaçëm parashikohet të kryejë, një analizë të plotë, të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar  detyrimet ligjore në fuqi, në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën financiare në fushata zgjedhore.

Ky komision si pjesë të këtij misioni do të ndërmarrë propozime për ndryshimet e nevojshme ligjore, përfshi kufizime të forta në burimet e financimit pasi aktorët e huaj, kanë mundur të gjejnë mënyra të ligjshme e të paligjshme, e si pasojë duke ofruar mbështetje të fshehtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA