“Aktorë të huaj kanë financuar aleatët e tyre përmes kompanive guaska në Shqipëri”, kërkesa e PS kundër dezinformimit: Kanë marrë përmes bankave…

01/04/2024 19:02

Shtatë deputetë të PS i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, për të mbikëqyrur dhe luftuar dezinformimin dhe format e tjera, të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Top Channel ka zbardhur kërkesën e plotë të socialistëve, teksa ndër të tjera sqarohet se Komisioni i Posaçëm, duhet të vlerësojë dhe masat ligjore për kufizime të forta në burimet e financimit.

“Duke patur në konsideratë se aktorët e huaj kanë gjetur mënyra të ligjshme dhe të paligjshme për të anashkaluar detyrimet ligjore dhe kanë ofruar mbështetje të fshehtë për aleatët e tyre duke marrë hua në bankat e huaja, duke ofruar në natyrë sende me vlerë, përmes marrëveshjeve të blerjeve dhe atyre tregtare, përmes kompanive guaske, përmes organizatave jofitimprurëse, përmes donatorëve të lëvizjeve qytetare, përmes teknologjive në zhvillim që ofrojnë anonimitet, përmes reklamave në internet, përmes mediave ekstremiste online dhe përmes lehtësimit të aktiviteteve financiare”, thuhet në këtë shkresë.

“Komisioni i Posaçëm duhet të punojë gjithashtu me organizata të shoqërisë civile që monitorojnë në mënyrë aktive tendencat e dezinformimit dhe proceset e ngjashme dhe të marrë në konsideratë dhe analizë dhe raportet përkatëse të monitorimit”, vijon më tej propozimi i socialistëve.

Deputetët që kanë firmosur janë Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA