“SPAK dhe drejtësia e re të mos qëndrojnë në paradhomë, por të shkojnë tek koka”, Salianji: Kjo ditë nuk është as e largët, as e pamundur

31/03/2024 12:59

Deputeti demokrat, Ervin Salianji gatë një takimi me qytetarët në Gjirokastër tha se gjendja e korrupsionit në vend ka prekur shifra alarmante.

Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme dhe drejtësia e re duhet të veprojë dhe të mos qëndrojë në paradhomë, por sipas deputetit “të hapë derën e të hyjë aty, pikërisht atu ku është burimi i zullumit”.

“Nëse do na duhet ta përshkruajmë situatën që po kalon vendi, do na vinte në ndihmë patjetër patriarku i letrave, gjeniu i këtij qyteti, Ismail Kadare. Ka ai një cilësim për mbrapshtitë, për zezonat. I quan disa dukuri, ose zhvillime, si të fundbotshme. E fundbotshme është gjendja e korrupsionit në vend.

Kemi dy qendrat më të mëdha të pushtetit, dy instancat më vendimmarrëse, me buxhetin e krejt republikës, qeveria dhe bashkia e Tiranës, që kanë dalë zbuluar, lakuriq në sytë e publikut si të zhytura thellë në abuzim e zhvatje të parave të taksapaguesve më të varfër në rajon e në Europë. Aferat qindra milionë euroshe në shëndetësi, tek inceneratorët, apo te rrugët, janë një çështje shumë serioze që i përkasin të gjithëve. Nuk janë punë të brendshme të një grupi njerëzish, aspak.

Edhe një blegtor në Lunxhëri, dhe një guidë në Qaze të Pazarit, një bar i vogël aty, një shitës në treg, një taksist në Antigone, të gjithë japin një kontribut për arkën e shtetit, për ekonominë, për buxhetin. Zullumi, vjedhja, hajdutëria, rënia si ujku këtij buxheti, është futje dorë pikërisht tek secili prej jush, tek çdo shqiptar.

Në çdo përfitim, në çdo pasurim të padrejtë të një qeveritari, është një e drejtë e mohuar për të pasur më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë kopshte, pensione e paga më të larta, ndihmë ekonomike më dinjitoze.

Paratë e vjedhura nga rilindja, janë para të munguara për shqiptarët. Ndaluni për një moment, dhe numëroni pak. Sa ministra, drejtorë, kryetarë bashkie të Edi Ramës janë kapur në krim, në shpërdorim, në përvetësim fondesh? Nuk i numëron dot, janë pafund. Vetëm se këtu ka një moment të rëndësishëm. Ne kemi votuar dhe kemi sjellë si Opozitë konsensusin më të madh ndonjëherë për drejtësinë e re, pikërisht që të vijë dita që SPAK të mos ndalet tek dera e dy njerëzve më të pushtetshëm në vend. Por të hapë derën e të hyjë aty, pikërisht atu ku është burimi i zullumit”, tha Salianji.

Ai theksoi se nuk do të vonojë shumë dita kur shqiptarët do të largojnë nga pushteti qeverinë aktuale.

“Provat tani kanë dalë sheshit. Kush është pra pengesa, na e thoni të nderuar zotërinj të SPAK. Sot të dashur miq, është një ditë e veçantë. Mesazhi që vjen nga Pashkët Katolike është se njohja e të mirës dhe të keqes, e të drejtës dhe të gabuarës, e errësirës dhe dritës, bëhet më e lehtë. Zgjedhja është e qartë. Nuk do të vonojë shumë dita kur shqiptarët do ta marrin këtë vendim. Do të kenë në dorë ti heqin vendit dhe vetes së tyre një barrë të madhe që e mbajnë në kurriz prej 11 vitesh. Me largimin e Edi Ramës dhe të tijve, hapet rruga për një rend të ri politik e shoqëror. Çlirohet energjia e kyçur deri më sot. Hapen shanset që janë mbajtur deri tani të mbyllura. Krijohen kushtet e shanset e barabarta. Bien kastat e korruptuara që janë të interesuara të ruajnë këtë statuskuo të privilegjeve. he i hapet dera edhe SPAK dhe drejtësisë së re, që të mos qendrojë në paradhomë, por të shkojë tek koka, aty ku qelbet peshku. Kjo ditë nuk është as e largët, as e pamundur. Sa më shumë afron, aq më shumë ja shton sfidat opozitës, ne demokratëve. Bashkimi ynë ka krijuar një momentum, ka nxitur një frymë. Po këto sythe që të shpërthejnë, kërkojnë më shumë nga ne. Mbi të gjitha, cilësi e integritet. Duhet të bëjmë gjithçka, pa kompromis, me çdo sakrificë për të thyer skepticizmin shpesh të pashkak e të paarsyeshëm ndaj nesh. Gjithçka duhet të bëjmë për të fituar besimin.

Rama ka rënë, si sistem, si kulturë, si mekanizëm. Ne duhet të ngrihemi në lartësinë që sjell jo vetëm rrotacion, por sidomos ndryshim. Ndryshimin që të gjithë duan, ndryshim që sjell një vend ku respektohen të drejtat e liritë, ku dinjiteti njerëzor është i çmuar e i barabartë si në bllok në Tiranë, si në Gjirokastër, ku rinia ecën para vrullshëm me ide e sipërmarrje që përkrahen e stimulohen nga shteti, ku universiteti zien nga kërkimet, ku biznesi nuk ka frikë nga taksidari, ku askush nuk duhet të ketë më frikë nga pushteti, përpos keqbërësve dhe kriminelëve. Nuk është e pamundur të dashur miq. Kjo mund të ndodhë, dhe jam i bindur se do të ndodhë”, tha Salianji.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i shoqëruar nga nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, nënkryetari i grupit, Ervin Salianji dhe drejtuesi politik i Qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu zhvilluan një takim me demokratët e Gjirokastrës këtë të diel.

Top Channel