Për çdo besimtar katolik, Pashkët janë një festë e madhe dhe mundësi për t’u mbledhur e festuar me familjet. Një pjesë e italianëve që jetojnë në Durrës kthehen në Itali, po shumë të tjerë zgjedhin të festojnë në Shqipëri, ku jetojnë me familjet e tyre.
“Këtë vit jemi në Durrës, mblidhemi me familjen. Do gatuajmë në shtëpi se është një moment për të ndarë me familjen”, thotë Francesco Vitobello.
“Kemi tradita si në Itali dhe shyqyr këtu në Durrës kemi kishën katolike. Është e vogël, po shumë e bukur dhe nesër e festojmë në familje. Unë nuk gatuaj në shtëpi. Do shkojmë në restorant dhe jemi vetëm familjarët”, tregon Giuseppina Ciccocioppo.
Italianët që jetojnë në Durrës shpalosin me krenari traditat e tyre të Pashkëve përmes vizitave në kishë dhe festimeve familjare. Edhe simbolet e kësaj feste sjellin gëzimin dhe bukurinë e traditës së festimeve.
“Si traditë për ditën e Pashkëve kemi mish qingji dhe makaronat që nuk i mungojnë asnjëherë tavolinës italiane. Një ndryshim e kemi se ju keni vezë origjinale me të gjitha ngjyrat, ne kemi vezë çokollatë’, thotë Ciccocioppo.
“Traditë kemi vezët e çokollatës që ndahen për fëmijët dhe të rriturit. Mesazhi që Pashka na sjell është Paqe. Vezët e kuqe i marrim se jemi të lidhur dhe bashkëjetojmë me shqiptarë dhe kemi marrë dhe ca nga traditat shqiptare”, thotë ai.
Një tjetër ditë e shumëpritur nga italianët e Durrësit është e Hëna e Pashkëve.
“Dita e hënë është një ditë dedikuar ekskursioneve apo për të ndarë momente me shoqërinë dhe mund të bëjmë ekskursion në një vend të bukur që ka Shqipëria, si në jug, Vlora a Saranda, apo në veri, siç është Thethi, më pëlqen si vend në mal.”
“E festojmë dhe me miq shqiptarë, po normalisht ditën e hënë, pasi ditën e Pashkës e kemi me familjarët dhe të hënën dalim si ekskursion me panine e gjëra që të festojmë me miqtë.”
Me traditat e tyre të pasura, lidhjet martesore dhe harmoninë e bashkëjetesës së shumë kulturave, komuniteti italian në Durrës, që rritet nga viti në vit, feston dhe forcon më tej lidhjet me qytetin ku ndjehet si në shtëpi. Ata ndajnë gëzimin e tyre dhe urimet e Pashkëve me të gjithë duke e bërë të ngrohtë dhe plot harmoni atmosferën e Pashkëve në Durrës.
“Pashkë të mbara duke shpresuar që këtë ditë të ngjalljes së Jezu Krishtit, qeveritarët tanë do të kuptojnë se duhet paqe dhe jo luftë. Gëzuar Pashkët shqiptarëve, italianëve, ukrainasve, rusëve dhe të gjithë botës.”
Top Channel