Një raport i ekspertes britanike, Olivia Griffiths në vitin 2019 , “Disinformimi anti-NATO në Ballkanin Perëndimor” tregonte se si Rusia mundohej të përhapte lajme të rreme dhe shtrirë influencën e saj në Shqipëri kryesisht përmes portaleve online.
Pesë vite më pas teksa dizinfomimi është problem jo vetëm rajonal, shumica socialiste ka depozituar propozimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, për të mbikëqyrur dhe luftuar dezinformimin dhe format e tjera, të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
Afrim Krasniqi drejtor i Institutit të Studimeve Politike thotë për Top Channel se nisma është pozitive por nëse mbetet vetëm politike nuk ofron zgjidhje.
“Shqipëria nuk ka një legjislacion parandalues dhe rregullator për këtë problematikë. Pavarësisht se ne jemi sot në një konflikt shtetëror me dy shtete. Me Rusinë dhe Iranin për shkak të këtyre problematikash. Në kushtet e Shqipërisë duhet të kishte një instrument të qëndrueshëm që duhet të vinte nga një bashkëpunim me institucione të sigurisë dhe ndoshta përmes Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Por në kushtet kur kjo nuk ka funksionuar dhe institucionet e tjera nuk kanë vepruar nisma ne rastin e Parlamentit është pozitive nëse ka një kalendar afat shkurtër dhe ka efekt direkt që do të thotë se ka propozime për legjislacion e masa konkrete për institucionet si funksionojnë, kush janë problematikat dhe mekanizmat mbrojtës”, deklaron ai.
Megjithëse Shqipëria konsiderohet si një vend me orientim të qartë euro-atlantik nuk është imune, nga përpjekjet e aktorëve të tretë siç cilësohet Rusia apo edhe Kina.
“Ka edhe aktorë të tretë aktiv që ndodhen në Shqipëri. Ne kemi bërë monitorim të vazhdueshëm sidomos në fushata elektorale. Janë kompani edhe grupe të caktuara me financime nga këto vende të cilat janë influente në Shqipëri. Influente në prodhimin e lajmeve, influente në mënyrën e përcjelljes së lajmeve jo vetëm për ne por edhe për Shqiptarët në mediat e ndryshme sidomos në Ballkan dhe vendet Lindore por edhe influente përmes kompanive të lobimit dhe elementëve të tjerë që kanë ndikim në Shqipëri”, deklaron Krasniqi.
Top Channel