Tetë ish-drejtorët dhe funksionarët e Bashkisë së Tiranës, të hetuar për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera, dolën sot para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gjykata pranoi kërkesën e SPAK, duke lënë tre prej tyre në masën arrest me burg dhe për pesë të tjerë detyrim paraqitje. Hetimi ndaj tyre nisi kryesisht nga SPAK, dhe më pas u bashkua me kallëzimin që kreu Belind Këlliçi në maj të vitit të kaluar për shkelje të barazisë në tendera.
Hetimi zbuloi se ish-drejtorët, ai i Ujësjellësit, Redi Molla dhe i IKMT-së Mariglen Qato, të cilët do të hetohen duke qëndruar në burg, në harkun kohor të viteve 2016-2020 kishin favorizuar në së paku nëntë procedura tenderimi kompaninë “5D Construction”, e cila rezulton dhe me dy emra të tjerë.
Sipas SPAK, kjo kompani është e regjistruar në emra të tjerë, lidhje miqësore dhe shoqërore e të dyshuarve por që në të vërtetë pronarë të saj janë Qato dhe Molla.
Top Channel