Një sondazh i fundit tregon se në mesin e amerikanëve është sot më i lartë se përpara disa vitesh shqetësimi nga mundësia që emigrantët të kryejnë krime në Shtetet e Bashkuara.
Më e theksuar, kjo frikë duket se është në mesin e republikanëve, ndërsa demokratët vazhdojnë të shohin një gamë të gjerë përfitimesh nga emigracioni.
Anketimi i kryer nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC, tregon se një pjesë e konsiderueshme e të rriturve amerikanë besojnë se emigrantët japin kontribute të rëndësishme në ekonominë dhe kulturën e vendit. Por kur bëhet fjalë për emigrantët e ligjshëm, amerikanët shohin më pak përfitime të mëdha sesa në të kaluarën, dhe më shumë rreziqe.
Rreth 4 në 10 amerikanë thonë se emigrantët që vijnë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara sjellin përfitime të mëdha për kompanitë amerikane, me ekspertizën e punëtorëve të kualifikuar në fusha si shkenca dhe teknologjia. Një përqindje e ngjashme, rreth 38% e të anketuarve thanë gjithashtu se emigrantët e ligjshëm japin një kontribut të madh në shoqëri, duke pasuruar kulturën dhe vlerat amerikane.
Të dyja këto shifra në fakt, shënojnë rënie në krahasim me anketimet e vitit 2017, në të cilat 59% e amerikanëve thanë se punëtorët emigrantë të kualifikuar që vijnë në mënyrë të ligjshme në vend ofronin përfitime të mëdha dhe gjysma thanë se emigrantët e ligjshëm japin një kontribut të madh në pasurimin e kulturës amerikane. Ndërkohë, përqindja e amerikanëve që thonë se ekziston një rrezik i madh që emigrantët e ligjshëm të kryejnë krime në Shtetet e Bashkuara është rritur, duke shkuar nga 19% në 2017 në 32% në sondazhin e fundit.
Top Channel