E diela e Pashkëve Katolike është në 31 mars këtë vit, por dyqanet në Gjermani janë mbushur që në shkurt me vezë të zbukuruara e lepuj prej çokollate.
Këto janë shenjat e festës së Pashkës, festë që ka rrënjë të thella në kulturën perëndimore. Vezët dhe lepujt simbolizojnë një jetë të re dhe ringjalljen. Edhe natyra fillon e zgjohet, sepse po afrohet pranvera, një periudhë ideale për të festuar festën e ringjalljes së Jezu Krishtit. Festa e Pashkës nuk festohet në një date fikse, por ndryshon nga viti në vit, shpjegon DW.
E diela e Pashkës përkon gjithmonë me hënën e plotë të pranverës, që në shumicën e rasteve është në fund të marsit ose në fillim të prillit. Për të krishterët, ditët nga e Premtja e Zezë, pra e premtja para Pashkës, deri tek e hëna e Pashkës janë ndër ditët festive më të rëndësishme të vitit. Edhe pse shumë prej zakoneve të Pashkës kanë rrënjë në besimin e krishterë, për shumë gjermanë këto zakone e kanë humbur rëndësinë e tyre fetare. Kështu pak vetë argjërojnë apo përkujtojnë ditën e së Premtes së Zezë ekzekutimin e dënimit me vdekje si dhe kryqëzimin e Jezusit, apo ringjalljen e Jezusit nga vdekja të dielën e Pashkës.
Besimtarët që ndjekin meshat për Pashkët në kishë e përshëndesin njëri-tjetrit ditën e së Dielës së Pashkës me fjalët: “Krishti u ngjall, Vërtet u ngjall”. Në Gjermani tashmë kudo sheh shportat me vezë dhe figura lepujsh prej çokollate dhe pemë të zbukuruara me vezë dekorative shumëngjyrëshe. Po kështu, për Pashkë në këtë vend ka mjaft fëmijë që kërkojnë vezë apo ëmbëlsira në oborrin apo kopshtin e shtëpisë, të bindur se ato janë fshehur gjatë natës lepurushi i Pashkëve. Fshehja dhe kërkimi i ëmbëlsirave dhe i dhuratave të vogla është një traditë e bukur, të cilën gjermanët vazhdojnë ta ruajnë për pashkë.
Top Channel