Merret peng ‘YouTuber-i’ i njohur që kërkonte intervistë me krye-rebelin në Haiti (fotot)

29/03/2024 15:25

Një komentator i njohur i rrjeteve YouTube e Twitch, është marrë peng nga gangsterët në Haiti teksa përpiqej të merrte në intervistë kreun famëkeq rebel Barbecue.

Addison Pierre Maalouf, i njohur ‘online’ si YourFellowArab, është marrë peng në zonën Croix-des-Bouquets teksa kërkonte të intervistonte krye gangsterin Jimmy ‘Barbecue’ Cherizier, shkruan rrjeti vendas Haiti24.

Mediat shtonin se përgjegjës është banda e njohur si ‘400 Mawozo’ e drejtuar nga Joseph Wilson, për të cilën thuhet se ka marrë peng amerikanë e kanadezë në 2021.

Maalouf raportohet se ka vizituar Delmas në periferi të kryeqytetit Port-au-Prince, për të siguruar intervistën me Barbecue.

Rrjeti Haiti24 shkruan se gangsterët e ‘400 Mawozo’ sipas urdhrave të shefit të tyre kanë marrë peng personazhin e njohur të rrjetit më 14 mars. Megjithëse Wilson e Barbecue kanë qenë dikur rivalë, banda 400 Mawozo tani është pjesë e aleancës së gangsterëve që drejtohet nga Barbecue.

Pengmarrësit thuhet se kërkojnë $600,000 në këmbim të lirimit të tij, teksa një pjesë e shumës raportohet se është paguar.

Maalouf ka vizituar banda nëpër botë si pjesë e programeve të tij në YouTube channel, teksa ka pozuar më parë në favelat e Rio de Janeiro me kriminelë të armatosur.

Komentatori tjetër Lalem shkruante sot në X/Twitter (29 mars): “po përpiqesha ta mbaja private por lajmi po shpërndahet, po, Arab është marrë peng në Haiti dhe po punojmë për ta liruar.”

FOTO GALERI
1/7
Addison Pierre Maalouf, i njohur ‘online’ si YourFellowArab, është marrë peng në zonën Croix-des-Bouquets

Top Channel