BE thirrje Kosovës: Të zbatohet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht vendimit në Këshillin e Evropës

29/03/2024 16:44

Bashkimi Evropian ka përsëritur të premten se vendimet në Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me bllokun drejtpërdrejt, pasi ajo është organizatë tjetër e pavarur evropiane, prandaj u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan vitin e kaluar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse Serbia e shkeli këtë Marrëveshje kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës këtë javë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku pret zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes pa marrë parasysh veprimet në Këshillin e Evropës.

“Pa marrë parasysh këto veprime në Këshillin e Evropës, kur është fjala te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha pjesët e Marrëveshjes nga viti 2023 për rrugën drejt normalizimit, të zbatohet me shpejtësi, në besim të mirë dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ashtu siç ishin pajtuar palët me aneksin e zbatimit në Ohër”, tha Stano.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurtin e vitit 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Dhe, sipas nenit 4 të Marrëveshjes së shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

I pyetur rreth këtij neni, Stano nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por përsëriti se, siç thuhet edhe në Aneksin e Ohrit për zbatim të Marrëveshjes, të gjitha pikat duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

“Këshilli i Evropës luan rol qendror në promovimin e vlerave fondamentale evropiane dhe standardeve të përbashkëta, përfshirë edhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me këtë organizatë, përfshirë edhe anëtarësimin”, shtoi ai.

Ai në veçanti e përmendi detyrimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është rruga më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë”, shtoi ai.

Stano i akuzoi të dyja palët për moszbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është për keqardhje se, pavarësisht përpjekjeve nga ana e BE-së dhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare, deri më tash progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo marrëveshje, ka qenë shumë i limituar, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”, theksoi Stano.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Kundër kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina. Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj./Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA