Mbledhja në komisionin e Ligjeve

Lamtumirë Komision i Posaçëm i Reformës Zgjedhore pa Enkelejd Alibeajn bashkëkryetar dhe mirësevjen “Grupi Dialogut” me fokus kryesor reformën zgjedhore, ku violinë e parë e opozitës do të jetë Oerd Bylykbashi.

Kjo është ajo çfarë prodhoi mbledhja e parë e konstituimit brenda Komisionit Parlamentar të Ligjeve për ligjet me tre të pesta të atij që do të njihet si “Grupi Dialogut” me anëtarë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Toni Gogu nga PS bashkë me Oerd Bylykbashi, Dhurata Cupin si edhe Erisa Xhixhon nga opozita. Pas disa vite ndarje “Grupi Dialogut” bëri bashkë arkitektët e reformave të shkuara zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin.

Damian Gjiknuri: Duke filluar me atë që ka mbetur çështjet e adresimit të kodit zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Këtë vendimmarrje patëm sot për të hulumtuar modalitetin e punës për të çuar përpara procesin e mbetur të reformimit të ligjit zgjedhor.

Oerdi Bylykbashi: Çështja prioritare që do të trajtohet nga ky mekanizëm dialogu është reforma zgjedhore që përfshin ndryshimet në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, vendimet e gjykatës kushtetuese dhe çështje që prekin ligje të tjera të cilat ndikojnë në garantimin e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Damian Gjiknuri u kujdes t’ia linte derën hapur PD-s zyrtare të Lulzim Bashës.

Damian Gjiknuri: Në këtë grup punë janë të përfshirë edhe deputetë të tjerë nëse dëshirojnë të marrin pjesë për çështje të caktuara për të pasur opinionin e tyre që do te thotë çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë aq më tepër ata që përfaqësojnë rryma apo forca politike janë pjesë e këtij grupi sa herë që do të diskutojmë këto çështje.

Siç edhe Top Channel e paralajmëroi të dielën e shkuar, deputetët e Rithemelit janë gati të bashkojnë votat me socialistët për amnistinë e të burgosurve.

Oerd Bylykbashi: Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë sigurisht që do të shohim kushtet se kush janë zgjidhjet konkrete në mënyrë që ajo të arrijë objektivat e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA