Gjiknuri pas mbledhjes së “grupit të dialogut” me Rithemelimin: Amnistia është e tejkaluar! Diskutuam për Reformën Zgjedhore

28/03/2024 11:16

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së “grupit të dialogut” me përfaqësues të Rithemelimin foli për projektligjin e Reformës Zgjedhore dhe Amnistisë Penale.

Ai e cilësoi projektligjin për Amnistinë si të tejkaluar duke theksuar se tema kryesore për të cilën u diskutua në mbledhjen e sotme, ishte Reforma Zgjedhore.

“Këtë vendimmarrje patëm sot, për të filluar modalitetin e punës për çuarjen përpara të procesit të mbetur të ligjit zgjedhor. Amnistia është gjë e tejkaluar tashmë, është në seancë, por nuk e diskutuam sot. Por besoj se edhe Amnistia do kalojë me konsensus”- tha Gjiknuri.

Pyetje: Si u arrit marrëveshja për amnistinë?
Gjiknuri: Janë kryetarët e grupeve parlamentare që po diskutojnë mbi diçka të tillë.

Sa i takon pyetjes nëse do merren parasysh konsultimet e kryera me Alibeajn si bashkëkryetar të komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri e pohoi diçka të tillë duke nënvizuar se edhe deputetët e grupimit të Bashës mund të japin propozime të tyre.

“Konsultimet nuk janë vrarë, mendimi nuk vritet opinioni konsiderohet. Nëse do gjendet dakordësi me faktorët politikë, në këtë grup pune janë të përfshirë edhe deputetë të tjerë që duan të marrin pjesë për të thënë mendimin e tyre”– shtoi deputeti.

Top Channel