Në Francë ka shpërthyer indinjata pasi drejtori i një shkolle në Paris dha dorëheqjen për shkak të frikës për jetën e tij.
BBC shkruan se drejtorit iu dërguan kërcënime me vdekje pasi ai këmbënguli që një vajzë adoleshente të hiqte mbulesën e saj islamike brenda shkollës, në përputhje me ligjin francez.
Emri i tij nuk është bërë publik, ndërkohë janë ndaluar dy persona, të cilët nuk kishin lidhje me shkollën.
Kërcënimi islamik ndaj shkollave franceze është marrë jashtëzakonisht seriozisht që nga vrasja e dy mësuesve.
Samuel Paty-t iu pre koka në rrugë në një periferi të Parisit në vitin 2020 dhe Dominique Bernard u vra në shkollën e tij në Arras pesë muaj më parë.
Drejtori i shkollës në Paris njoftoi vendimin e tij në një email dërguar të premten kolegëve në Maurice Ravel Lycée në distriktin 20 të Parisit.
“Më në fund kam marrë vendimin për të lënë funksionet e mia,” shpjegoi ai, “nga shqetësimi për sigurinë time dhe atë të institucionit.”
Në incidentin, i cili ndodhi më 28 shkurt, drejtuesi u tha tre nxënëseve se duhet t’i binden ligjit duke hequr mbulesat e kokës. Dy u bindën, por e treta jo dhe kjo ndezi sherrin. Në ditët në vijim, kreu ishte objekt i kërcënimeve me vdekje në rrjetet sociale, të cilat u sinjalizuan nga shkolla në një linjë telefonike të ministrisë së brendshme.
Disa shkolla në Paris u detyruan të mbyllen të mërkurën pasi morën kërcënime me bombë nga islamistët e dukshëm. Javën e kaluar rreth 30 shkolla të tjera në zonën e Parisit morën kërcënime të ngjashme, të shoqëruara me një video të prerjes së kokës. Ndërsa hetuesit janë të detyruar t’i marrin seriozisht kërcënimet, ata nuk mund të përjashtojnë që ato të jenë pjesë e një fushate dezinformimi ruse.
Kryeministri Gabriel Attal paralajmëroi në fillim të këtij muaji se Kremlini kishte nisur një “ndërmarrje masive destabilizimi” për të minuar mbështetjen franceze për Ukrainën.
Top Channel