Një person ka vdekur dhe tre janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Prishtinë.

Viktima është një 30-vjeçar i cili u qëllua për vdekje dhe ishte i shoqëruar me një 25-vjeçar që po ashtu mbeti i plagosur.

Plagë nga ky shkëmbim zjarri ka marrë edhe një 48-vjeçare që ishte kalimtare e rastit. Nga Klinika Emergjente e QKUK-së bëjnë të ditur se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë.

I plagosuri i tretë ishte larguar nga vendi i ngjarjes e më vonë u paraqit në Policinë e Kosovës.

Organet e rendit kanë identifikuar dy të dyshuar që nga nata e mbrëmshme vazhdojnë të jenë në arrati.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës bën të ditur që ka konfiskuar një veturë dhe gëzhoja.

“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, thonë nga prokuroria.

Deri më tani zyrtarisht nuk dihet për motivin, por dyshohet për përplasje mes të rinjve.

Top Channel