Hetimi parlamentar që amnistoi koncesionin e dializës dhe shërbimit të laboratorëve, ka nxitur dyshimet edhe vetë brenda radhëve te demokratëve.
Myslim Murrizi, anëtari i Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, në një intervistë në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi, akuzoi kolegët për opozitë selektive dhe kërkoi të bëhet transparencë se kush fshihet pas këtyre dy koncesioneve.
Murrizi: Janë katër koncesione qe shkojnë rreth 400 milion euro. Mes tyre zgjodhën dy
Xhokaxhi: Pse u zgjodhën dy dhe u lanë jashtë dializa dhe laboratorët?
Murrizi: Ftoj SPAK-un të hetojë. U lanë jashtë sepse duhet t’i ketë një i fuqishëm që ua ka zënë fytin me para. Ti nuk mund t’i hedhesh hi syve asnjë opozitari, as një shqiptari, duke bërë opozitë selektive. Më mirë thuaj se s’di te bëj opozitë, jam debil sesa të bësh opozitë selektive.
Dyshues me marrëveshjen që përjashtoi dy koncesione te lidhura me Spitalin Amerikan, është edhe deputeti demokrat Dashnor Sula.
Sula: Nëse mund të ketë pikëpyetje apo dritëhije, kjo do ishte jo vetëm skandaloze, por edhe e turpshme për opozitën. Më e pakta opozitës i takonte të thoshte dy fjalë që s’ka pranuar mazhoranca (hetimin e dializës dhe shërbimin laboratorik) pastaj opozita do ishte totalisht e pastër dhe do ishte në nderin e opozitës ta deklaronte një gjë të tillë. Mirë do ishte te hetoheshin të katërta koncesionet.
Ndryshe nga kërkesa e bërë para gjashtë muajve prej opozitës për hetimin e katër koncesioneve në shëndetësi, kërkesa e Rithemelimit ka ndryshuar në mënyrë të paqartë dhe Parlamenti do te hetoje vetëm dy koncesione, duke lënë jashtë kontratën për shërbimin e dializës dhe atë laboratorëve që të dyja bashkë iu kushtojnë shqiptarëve 28 milionë euro në vit nga taksat e tyre dhe janë të lidhura me biznesmenin Klodian Allajbeun të Spitalit Amerikan.
Top Channel