Ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama të premten që kaloi, qëndroi për disa orë në dhomën e familjare të Shtëpisë së Bardhë ku vizitoi ish-zëvendës presidentin e tij, Joe Biden i cili tashmë si president i SHBA-ve kërkon rizgjedhjen për një mandat të dytë.
Obama është shprehur më herët se gara e dytë mes Trump dhe Biden do të jetë tepër e afërt dhe se zgjedhjet e nëntorit të vitit 2024 do të shënojnë një moment të rëndësishëm për botën.
Biden dhe Obama, së bashku me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, morën pjesë në një thirrje organizuese në rezidencën e Shtëpisë së Bardhë, duke paralajmëruar 14- vjetorin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm.
“Ne kemi mundësinë të bëjmë edhe më shumë, por kjo ndodh vetëm nëse i kthejmë Joe dhe Kamala në Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Pra, ne duhet të vazhdojmë të punojmë.”- u shpreh Obama gjatë mesazhit të tij në një video.
Obama dhe Biden kanë kontakte të rregullta me njëri-tjetrin dhe ish-presidenti ka shprehur haptas mbështetjen për Biden nëpërmjet thirrjeve të rregullta që bën për mbledhjen e fondeve për financimin e fushatës.
Angazhimi i tij me fushatën e Biden pritet të intensifikohet ndërsa intensiteti i përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme është rritur dhe punohet për rindërtimin e koalicionit fitues që i solli fitoren Bidenit në 2020-ën.
Të enjten Obama, Biden dhe ish-presidenti Bill Clinton pritet të kenë një takim ku do të bëjnë thirrje në mbledhjen e fondeve për fushatën në kuadër të rizgjedhjes së Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Jim Messina, menaxheri i fushatës së Obamës në vitin 2012, i cili ka shërbyer si këshilltar i ngushtë i fushatës së rizgjedhjes së Biden, i tha CNN se ish-shefi i tij planifikon të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar Biden të sigurojë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Ky mision, tha Messina, është bërë dukshëm më urgjent nga shfaqja e Trump si kandidati kryesor republikan.
Top Channel