Beleri dhe Goro prapa hekurave, Himara në prag të sezonit turistik pa kryetar! Ja kush pritet të drejtojë bashkinë

27/03/2024 21:30

Prej së hënës bashkia e Himarës nuk ka më as kryetarin në detyrë. Jorgo Goro u arrestua ditën e shtunë dhe ndodhet në paraburgim.

Ndërsa prej majit të vitit të kaluar, edhe kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri ndodhet në burg. E gjithë kjo situatë ka sjellë një paqartësi në bashkinë që duhej të përgatitej për sezonin e ri turistik që pritet të jetë shumë më i vrullshëm se një vit më parë. Drejtuesja juridike e bashkisë shpjegon se si po veprohet.

Puna në bashki vijon për aq sa mund të mbulohet nga nëpunësit civil dhe nga urdhër- delegimi që ka sekretari i përgjithshëm në lidhje me vijimin e procedurave administrative“-shprehet  Kleli Muharemi, drejtore juridike e bashkisë Himarë.

Bashkia ka dy nënkryetarë që në mungesë të kryetarit vijojnë punën sipas urdhrave të dhëna më herët. Pervin Gjikuria, një nga nën kryetarët pret një zgjidhje nga strukturat më të larta.

Kjo është diçka e cila nëse do zgjatet më shumë seç duhet, mund të sjellje probleme. Nuk besoj se kjo gjë do të ngelet në ajër, Himara është maja e shpatës së turizmit”-shprehet Pervin Gjikuria, nënkryetar i bashkisë së Himarës.

Ndërsa nënkryetari shpjegonte zgjidhjet e përkohshme, Jorgo Goro njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Kryetari i këshillit bashkiak të Himarës Dhimitër Kapaj shpjegon se çfarë ndodh më tej.

Dy nënkryetarët që janë në detyrë do votohen, kush do votohet nga ata do marrë drejtimin deri në zgjedhjet e reja“-shprehet Dhimitër Kapaj, kryetar i këshillit bashkiak Himarë.

Jorgo Goro u arrestua të shtunën e kaluar me urdhër të SPAK dhe këtë të mërkurë ai dha zyrtarisht dorëheqjen nga detyra. Ai shërbej në krye të bashkisë për 12 vite e 10 muaj, ai thotë se gjithçka ndaj kundër tij është një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga spekulantë të djallëzuar. Po sot Goro është dërguar në spitalin e burgut për shkak se nuk është ndjerë mirë me shëndet.

Top Channel