Policët jashtë ambasadës ruse urdhërohen të mos pranojnë ‘dhuratat’ nga personeli në Austri (fotot)

26/03/2024 21:46

Policia në Vienë tha sot se oficerët vendas jashtë ambasadës ruse kishin marrë ‘dhurata të vogla’ ditën e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, prandaj janë urdhëruar që në të ardhmen t’i refuzojnë ato.

Trupi diplomatik u kishte dhënë rojeve austriake të ambasadës në Vienë qese me embëlsira e kalendarë në përfundim të turnit të tyre, të cilat gjithsesi nuk përbëjnë shkelje kodesh në Austri për punonjësit civilë, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve austriakë ndaj interesimit të mediave.

Por ata justifikoheshin se kjo linte “përshtypjen e padëshiruar të një qasjeje jo-profesionale të oficerëve”.

Prandaj ata ishin udhëzuar që në të ardhmen, “me mirësjellje por të palëkundër, të refuzonin dhurata të tilla” edhe pse me vlerë të vogël monetare.

Rusët që jetojnë jashtë vendit kishin shkuar në ambasadat e tyre për të votuar më 17 mars, ditën kur zgjedhjet e orkestruara presidenciale i dhanë Vladimir Putin një mandat të gjashtë në krye të vendit, shkruan The Independent.

Disa ditë më herët qeveria austriake kishte kërkuar largimin e dy diplomatëve rusë nga ambasada në Vienë, në lidhej me ‘aktivitete spiunazhi’.

Policia e Vienës tha se ditën e zgjedhjeve më 17 mars efektivët austriakë në shërbim kishin pasur kontakte me personalin e ambasadës dhe në disa raste kishin hyrë në ndërtesë.

Rrjeti vendas ‘Austria Press Agency’ tha se kishte parë të paktën tre roje me çantat e dhuratave që kishin emblemën e Rusisë. Sipas raportimeve një nga oficerët tha se kishte hyrë në ndërtesë “për të përdorur tualetin”./Independent.co.uk/

FOTO GALERI
1/3
Policia e Vienës tha se ditën e zgjedhjeve më 17 mars efektivët austriakë në shërbim kishin pasur kontakte me personalin e ambasadës dhe në disa raste kishin hyrë në ndërtesë.

Top Channel