Arrestohet drejtori i klinikës në Spanjë pas vdekjes së britanikes në ndërhyrje estetike (fotot)

26/03/2024 16:44

Policia spanjolle tha se ka ndaluar drejtorin e një klinike private në Majorca pasi një e re britanike humbi jetën dy javë pas një operacioni estetik të implanteve të gjoksit.

Pacientja e re britanike kishte pësuar atak kardiak gjatë ndërhyrjes estetike për të cilën kishte paguar rreth 6,000 euro, sipas raportimeve vendase.

Gruaja ishte dërguar me urgjencë në një spital në Palma, në ishullin e Majorca, ku mbeti në gjendje kome dhe humbi jetën dy javë më vonë më 13 shtator të vitit të shkuar.

Drejtori 69-vjecar u ndalua pas hetimeve të familjarëve të viktimës, e cila nuk është emëruar publikisht, shkruan e përditshmja TheMirror.

Anestetisti i operacionit është gjithashtu duke u hetuar, por nuk thuhej nëse ishte arrestuar formalisht.

Policia vendase tha në një deklaratë: “Policia kombëtare ka arrestuar drejtuesin 69-vjeçar të një klinike në Palma ku praktikonte dhe vetë ndërhyrje, me akuza vrasjeje prej neglizhencës, pas vdekjes së një pacienteje”.

“E reja me origjinë nga Britania kishte kryer ndërhyrjen estetike në klinikën në Palma. Gjatë operacionit, për arsye që janë ende nën hetim, viktima pësoi arrest kardiak dhe u transferua me urgjencë në spitalin universitar Son Espases.”

“Pas shtrimit në kujdes intensiv për dy javë, ajo u nda nga jeta më 13 shtator të vitit të shkuar si rezultat i plagëve të shkaktuara nga ataku kardiak”.

Policia nuk specifikonte detaje të operacionit por rrjeti vendas ‘Última Hora’ tha se ajo vdiq nga komplikacionet gjatë kirurgjisë së gjoksit, për të cilën kishte paguar 6,000 euro.

‘Última Hora’ përshkruante viktimën si ‘specialiste re marrëdhëniesh me publikun’ që dëshironte të vendosej në Australi pas operacionit.

Zyrtarët thonin se mes parregullsive të zbuluara ishte fakti që pacientja nuk ishte informuar për rreziqet e kirurgjisë, ndërsa kishte firmosur dokumentet e pranimit vetëm mëngjesin e ndërhyrjes fatkeqe, të cilat ishin në gjuhën spanjolle, kur familjarët thonë se e ndjera nuk dinte spanjisht.

FOTO GALERI
1/2
Ajo u transferua me urgjencë në spitalin universitar Son Espases ku vdiq dy jave me vone.

Top Channel