Ka filluar një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.

Në dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndaras me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.

Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtij takimi të sotëm.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha pas takimit javën e kaluar se pret në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb.

Stano tha se takimi i javës së kaluar “ishte i rëndësishëm për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

“Palët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje të hënën me 25 mars, me qëllim që të diskutojnë propozimet konkrete dhe të gjejnë një zgjidhje afatshkurtër”, shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej së hyri në fuqi rregullorja e BQK-së.

Në takimin e javës së kaluar ishte diskutuar edhe për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Stano paralajmëroi pas atij takimi se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikur edhe kërkesat shtesë për formalizm, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Stano javën e kaluar.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.. REL.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA