Deputetët e rithemelimit kanë filluar hetimin e dy koncesioneve në shëndetësi, sterilizimin dhe check upin.
Trajtimi i këtyre dy koncesioneve është selektiv në kushtet kur gjashtë muaj me parë, kërkesa e tyre për kuvendin ishte që të katër koncesionet bashkë me dializën dhe laboratorët të hetoheshin.
Sipas rithemelimit këto dy koncesione të lidhur me Klodian Allajbeun e Spitalit Amerikan ishin gjetur me abuzime nga KLSH, kishin marrë para për shërbime të pakryera si dhe kishin përdorur një sërë kompanish fantazmë nga Holanda për të mbuluar aksionerët e vërtetë.
Për anëtarin e këshillit kombëtar të Rithemelimit të katër koncesionet duheshin hetuar për abuzimet e tyre
“Ka dhe shumë shkresa, të gjitha kanë probleme, është e vërtetë që një shifër shumë e lartë e buxhetit të Shëndetësisë shkon për këto koncesione. Është e rëndësishme të shihet si janë vendosur, menaxhohet fondi, si sigurohet transparenca, por edhe çfarë ka vlejtur. Si kanë shërbyer këto para, produkti në final, për të katërta veç e veç. Në këtë moment janë marrë dy, por besoj unë dhe dy të tjerat duhet të jenë objekt i rishikimit të kujdesshëm”- shprehet Alimehmeti.
Sipas tij hemodializa dhe laboratorët janë shërbime që mund të ofroheshin fare mirë nga shteti
“A mendoni ju se më përpara nuk kishte hemodializë që bëhej në Shqipëri? Kishim. A nuk kemi ne staf dhe infrastrukturë, patjetër që kemi. Po analizat, a mund të bëheshin te ne, investohej bliheshin aparaturat bliheshin kitet, njerëzit punësohen etj. Mendoni ju se kostot janë më të lira në shtet apo privat. Nëse do ishte privati që do bënte një investim shumë të fortë që do ishte I rëndësishëm, atëherë shkon drejt rrugës koncesionare, por në rastin që flasim investimet i kishte gati. Si mundet shteti nuk e bën dot me pak para, por kur ja jep privatit jo vetëm e bën por del edhe me fitim. Këtu ka një problem të qëllimshëm të bërjeve të llogaritjeve”-shton Alimehmeti.
Dy koncesionet marrin 28 milionë euro nga taksat e qytetarëve çdo vit ndërsa për laboratorët ka edhe një çështje penale të regjistrua në SPAK.
Top Channel