“Po rrinë si qengja para Ramës”, Basha e cilëson pazar marrëveshjen PS-Rithemelimi: Shpresojnë të mbajnë karrigen duke…

24/03/2024 11:54

Kryedemokrati Lulzim Basha, në Kuvendin Zgjedhor të PD-së Dibër, hodhi akuza ndaj marrëveshjes së arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit.

Sipas Bashës, marrëveshja është një pazar për të mbajtur karrigen.

“Ajo që pritet është një marrëveshje pazar dhe se është prodhuar një fabul e tërë se revolucioni do të shporrë këtë qeveri. Qeveria ka kaluar që t’i kalojë ligjet sa hapë e mbyll sytë. Pse u dorëzua flamuri i revolucionit? Sot ata që e rrëzuan revolucionin i kanë sytë përdhe. Pse nuk shohin ata po i mbajnë sytë përdhe? Ata duhet të tregojnë se si u katandis kokoshi me një thelë. Kërkuan revolucion. Sot po rrinë si qingja përballë Edi Ramës me shpresën se ky pazar do t’i mbajë në karrigen e radhës. Pazari i tyre kaq paska qenë. Ndaj kam një thirrje për bashkim. Shpresa e vetme për rrotacion është këtu, është Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka ndryshuar asnjë germë në qëndrimet e saj”.

Duke folur për reformën zgjedhore dhe konkretisht listat e hapura, nga Dibra, kryedemokrati iu drejtua me një pyetje deputetëve të “Rithemelimit”.

“Ajo që pritet prej nesh nuk është thjesht mbijetesa, por dalja nga kriza e shkaktuar nga kjo qeveri. Të ndërtosh këtë alternativë, do të thotë të besosh te e nesërmja e Dibrës dhe Shqipërisë. Nëse betejën e bën për karrigen tënde personale, jo vetëm që s’i shërben Shqipërisë, por je kthyer në shërbëtor. Nga njëra anë i kemi të qarta plagët e shkaktuara në Dibër dhe Shqipëri nga kjo qeveri e papërgjegjshme për shkak të korrupsionit apo pashpirtësisë. Nga ana tjetër, mungesa e një alternative dhe zëvendësimi i saj me gjuhën e lodhur dhe të mungesës së një plani nga qeveria, i shërben kësaj qeverie. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, por e qartë. E qartë për përballjet, e qartë për qëndrimet bardhë e zi dhe për çfarë presin, meritojnë dhe do të ketë shqiptarët nga PD. Kjo qartësi është jetike për të vendosur piketat e së nesërmes. Oferta duhet të jetë e plot, pa dritëhije dhe e qartë. Si mund të ketë drejtësi kur ata që e cilësojnë veten opozitë, sulmojnë institucionin më të lartë të drejtësisë. Në vend që t’i japë qytetarëve alternativë të saktë, bëjnë zig-zake për drejtësinë. Jeni apo jo që pushtetarët të përgjigjen për shkeljet? Që të zhduket imuniteti parlamentar dhe të vendoset drejtësi reale. Si me Arben Ahmetjan, që u deshën 2 javë për të hequr imunitetin, dhe iu dha kohë që të arratisej”.

Top Channel