19 të vrarë kur forcat izraelite hapin zjarr ndaj të uriturve që kërkojnë ndihma në Gaza, mediat (fotot)

23/03/2024 21:38
Gaza City 23 mars, 2024 [Foto: Dawoud Abo Alkas/Anadolu Agency]

Zyrtarët në Gaza thanë sot se të paktën 19 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite që hapi zjarr ndaj civilëve që prisnin për ndihma jug të qytetit të Gazës.

“Pushtuesit izraelitë kanë vrarë 19 njerëz dhe kanë plagosur 23 civilë të tjerë mes qindra qytetarëve që prisnin për miell dhe ndihma pranë rreth-rrotullimit Al-Kuwait,” tha zyra e medias në Gaza në deklaratën e të shtunës.

Ajo shtonte se tanket dhe ushtria izraelite kishin hapur zjarr me mitralozë “ndaj njerëzve të uritur që prisnin për thasë mielli dhe ndihma në një vendndodhje që nuk përbënte asnjë rrezik për pushtuesit”.

Mahmud Basal, zëdhënës i mbrojtjes civile në Gaza, tha se kishte pasur “zjarr të rëndë ndaj civilëve” ndërsa viktimat ishin transportuar në spitalin e zonës Ahli Arab.

Por teksa shëndetësia në Gaza është thuajse e shkatërruar, shumë paciente po trajtoheshin në qiell të hapur.

“Disa kishin plagë të rënda, është një realitet tragjik,” shtonte ai, sipas rrjetit të Katarit Al Jaseera.

Dëshmitari Alaa al-Khudary, tha për Al Jazeera se forcat izraelite qëlluan ndaj turmës, duke lënë “shumë të vdekur” dhe të tjerë të plagosur, teksa ata tentonin të gjenin diçka për të ngrënë për fëmjët e tyre.

Më shumë se gjysma e palestinezëve në Gaza po provojnë “uri të rëndë” teksa muajin që vjen kriza e urisë pritet të përhapet në të gjithë territorin nëse nuk ka ndërhyrje, paralajmëronin sot dhe Kombet e Bashkuara.

Të enjten 23 palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit, teksa prisnin për ndihmë humanitare në veri të Rripit të Gazës.

Ndërsa më 29 shkurt në një episod të ngjashëm tragjedie që njihet tashmë si “Masakra e miellit” 118 njerez u vranë dhe 760 u plagosën teksa prisnin për ndihmë në jug të Gazës, tha ministria palestineze e shëndetësisë.

Gazetari i Al Jazeera, Tareq Abu Azzoum, duke raportuar nga Rafah, tha se këto vrasje janë “pjesë e një politike të qartë e sistematike që Izraeli po përdor muajt e fundit”.

Ai shtonte se njerëzit në Gaza, megjithë rreziqet, vazhdojnë të presin për karvanët, “të uritur e te dehidratuar, pasi duan të kthehen te familjet e tyre me diçka për të thyer agjërimin”.

Ushtria izraelite mohonte të kishte hapur zjarr mbi turmën.

“Raportimet se ushtria ka hapur zjarr ndaj dhjetra banorëve të Gazës në karvanin e ndihmave, nuk janë korrekte,” thuhej në deklaratën e ushtrisë.

“Zbulimet tona konfirmojnë se nuk ka pasur sulme ajrore ndaj karvanit dhe as incidente ku forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj njerëzve në pritje të ndihmave”./AlJaseera/

FOTO GALERI
1/3
Palestineze te plagosur ne spitalin Ahli Arab ne Gaza

Top Channel