Një ditë më parë, njësite speciale të ushtrisë së Serbisë janë parë disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili i ka shpërndarë këto pamje, këto janë provokime të qarta, marrë parasysh edhe faktin se sipas tij, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën.
Kurti thotë se është duke u monitoruar situata në kufirin me Serbinë, derisa shton se në këtë mënyrë nuk arrihet deri te normalizimi i marrëdhënieve.
“Ata i kanë disa ushtrime luftarake, por ushtrimet nuk mbahen dhjetë metra larg kufirit. Ata po vijnë në zonën e sigurisë, në vijën e kufirit ku nuk ka nevojë as për dron e as dylbi për t’u parë me njëri tjetrin. Nëse dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma dhe nuk vjen te kufiri, as ushtarët”-shprehet Kurti.
Nga Misioni i NATO-s, KFOR-i, që janë përgjegjës për sigurinë në veri të Kosovës, cilësojnë se situata është e qetë por e brishtë.
“Pas tensioneve të fundit, ne dislokuam rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm praninë e KFOR-it në veri të Kosovës. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe vijën administrative kufitare. Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë të mbikëqyr nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që mund të kenë ndikim në një mjedis të sigurt”.
KFOR-i u bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe “të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Top Channel