Drogë me autobus drejt Italisë, përgjimet nxjerrin zbuluar pronarin e agjencisë dhe shoferin e autobusit ku u gjetën 13.7 kilogram heroinë.
Në përfundim të hetimeve të nisura 11 muaj më parë, pas sekuestrimit të drogës që u gjet e fshehur në një autobus udhëtarësh në portin e Durrësit prokuroria deklaron se ka provuar që pronari i agjencisë “Keli Travel” dhe shoferi i autobusit kanë kryer veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, vepër e mbetur në tentativë.
Në orët e para të 30 prillit të vitit të kaluar, rreth orës 03:20, policia e Durrësit arrestoi Mikel Picin 33 vjeç dhe Piro Rrushi 58 vjeç, pasi mbrëmjen e një dite më parë, gjatë përpunimit në terminalin e mjeteve të rënda në Pikën e Kalimit Kufitar të portit Durrës, në autobusin me targa AB237DN u gjetën të fshehura 26 pako me peshe 13.750 kg e dyshuar si heroinë.
Gjatë kontrollit personal shtetasit Mikel Pici iu gjet dhe 0.3 gram kokainë. Gjithashtu ne lidhje me këtë ngjarje u sekuestruan 8 telefona celulare në cilësinë e provës materiale. Ishte sinjalizimi i skanerit që shtyu policinë kufitare të Portit Detar të bëjë kontroll fizik të mjetit. Gjatë marrjes në pyetje shtetasi Mikel Pici pronar i firmës “Keli Travel” pranoi se është pronari i autobusit, por nuk ka lidhje dhe as dijeni për drogën e gjetur në të. Edhe Piro Rushi shofer pranë firmës “Keli Travel”, në deklarimin e tij ka mohuar dijeninë për drogën, ndërsa shprehet se ka rreth 30 vite qe punon si shofer autobusi, ndërsa ne këtë firme kishte rreth 6 vite qe punonte.
Ai shprehet se rreth orës 13:00 të daka shkuar në Rrogozhine ku ndodhej autobusi dhe më vonë janë nisur së bashku drejt portit të Durresit, ku Mikeli ka prerë biletat e udhëtarëve. Për të provuar këto thënie janë këqyrur pamjet filmike të qytetit të Fierit, nga të cilat ka rezultuar se mjeti me targa AB237DN ka hyrë në qytetin e Fierit në datën 26.04.2023 ora 17.46 (i konstatuar tek vendi i quajtur vija e ngjalës) dhe ka shkuar në drejtim të një servisi pranë një karburanti në rrugën e Patosit ku ka ndërruar dy gomat e para të autobusit dhe është kthyer përsëri në drejtim të Fierit në orën 18.50 të datës 26.04.2023, përpara DVP Fier.
Në datën 29.04.2023 ora 12.33 ky automjeti është konstatuar në autostradën Fier-Lushnje, pikërisht në vendin e quajtur “pushimi i shoferit” dhe nuk rezulton të jetë kthyer pas kësaj date. Po atë ditë në portin e Durrësit, skaneri e ka shënjuar me të kuqe në pjesën mbi gomat e prapme. Gjatë kontrollit të autobusit në pjesën e prapme tek korridori midis sediljeve u konstatua se kapakët mbi motor i kishin vidat e reja.
“Pasi janë hapur kapakët është konstatuar se ata kishin peshë të rëndë dhe u vu re se nga pjesa e poshtme tek kapaku i parë kishte 8 pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me qese plasmasi transparente ku brenda secilës prej tyre dalloheshin mbështjellëse me ngjyrët të verdhë dhe shirita të kuqe dhe të zerzë, brenda të cilave dyshohet se kishte lëndë narkotike të llojit heroinë. Pasi u hap kapaku i dytë janë konstatuar 18 pako në formën drejtkëndëshi të mbështjella me qese plasmasi transparente ku brenda secilës prej tyre dalloheshin qese me ngjyrë të verdhë dhe me shirita te kuqe dhe të zinj brenda së cilave dyshohet se mund te ketë lëndë narkotike të llojit heroinë. Njëra prej pakove u hap dhe u mor monstër ku u bë testi me anë të një apartati të posacëm i quajtur “Agilent’ i cili shërben për të konstatuar nëse është apo jo lëndë narkotike. Kjo lëndë u peshua dhe pas peshimit rezultoi me peshën 13.7 kilogram sëbashku me ambalazh.”
Në funksion të hetimit është kryer ekspertimi kimik i lëndës që rezultoi heroinë. Ndërkohë ekspertimit toksikologjik iu nënshtrua dhe pronari i agjencisë në organizmin e të cilit rezultoi prania e produkteve të metabolizimit të kokainës duke provuar se sasia e kokainës që iu gjet me vete ishte për përdorim personal.
Ky fakt dhe sasia e vogël e kokainës çoi në pushimin e akuzës tjetër ndaj tij për prodhim dhe shitje narkotikësh. Nga hetimi përmes ekspertimit daktiloskopik-vlerësues rezultoi se në qeset transparente dhe pakot e tyre objekt ekspertimi nuk u përftuan gjurmë papilare të vlefshme për identifikim.
Në kuadër të hetimit është bërë përgjimi ambiental i të arrestuarve Mikel Pici dhe Pirro Rrushi nga komunikimi i të cilëve ka rezultuar:
Mikeli: Pse çfarë ke mos e vrit mendjen për këtë punë, rri i qetë nuk ke punë ti me rregull të dali njeri se i kam unë rri i qetë.
Piro: Mos fol, po autobusi ka qenë në Fier mos thuaj që ka qenë në Fier autobusi.
Mikeli: Jo, jo.
Piro: Nuk ke qenë në Fier thuaj.
Mikeli: Jo, jo nuk ke punë ti në rregull.
Në fund të hetimit Prokuroria e Durrësit ka arritur në përfundimin se të pandehurit Mikel Pici dhe Piro Rushi kanë konsumuar veprën penale “Trafikim i narkotikëve” ngelur ne tentative dhe e ka dërguar çështjen për gjykim.
Top Channel