Emrat/ 13 kg heroinë drejt Italisë, arrestohen pronari dhe shoferi i autobusit të linjës Durrës-Milano

30/04/2023 13:10

Pronari i firmës “Keli Travel” së linjës Durrës-Milano, Milel Pici dhe shoferi Piro Rrushi janë arrestuar pasi u kapën duke transportuar drejt Italisë 13 kilogramë heroinë.

Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka ushtruar kontroll të imtësishëm dhe kanë gjetur të fshehur në pjesën e pasme të autobusit, 13 kilogramë e 750 gramë lëndë narkotike heroinë, e mbështjellë në 26 pako me natriban.

Si pasojë është arrestuar pronari i firmës “Keli Travel”, 32 vjeç, i cili është banues në Rrogozhinë dhe shoferi i autobusit, 57-vjeçari Piro Rrushi, banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik,  Picit iu gjet edhe një dozë lënde narkotike kokainë. Lënda narkotike heroinë dhe kokainë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me tetë celularë.

Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia po vijon punën për hetimin e plotë të rastit dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë. Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

“Port, Durrës – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj tentativave për trafikim të drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Terminali”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore të portit. Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta drejt Italisë. Gjenden të fshehura në një autobus dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 26 pako me lëndë narkotike heroinë, me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë. Vihen në pranga pronari i firmës së linjës së autobusëve dhe drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vjën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”. Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: -M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”; -P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë. Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”

FOTO GALERI
1/10

Top Channel