Sulm kamikaz në Afganistan/ Vriten tre qytetarë të pafajshëm jashtë një banke, 12 të plagosur

21/03/2024 09:53

Një person kreu një sulm kamikaz të enjten në një bankë private në qytetin Kandahar në Afganistanin jugor, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur 12 të tjerë.

Të gjitha viktimat ishin qytetarë që ishin mbledhur në degën e New Kabul Bank për të marrë pagat e tyre mujore, tha Inamullah Samangani, kreu i Departamentit të Informacionit dhe Kulturës të qeverisë në Kandahar, sipas medias së huaj.

Abdul Mateen Qani, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme talebane, gjithashtu konfirmoi sulmin, por nuk mundi të jepte më shumë detaje. Ai tha se është duke u hetuar.

Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për bombardimin. Degë e grupit të Shtetit Islamik, një rival kryesor i talebanëve, ka kryer sulme të mëparshme në shkolla , spitale, xhami dhe zona shiite në të gjithë vendin.

Qyteti i Kandaharit është një qendër shpirtërore dhe politike për sundimtarët e Afganistanit, sepse lideri suprem i talebanëve, Mullah Hibatullah Akhundzada, ka bazën atje dhe vendimet e tij për çështjet kryesore zbatohen nga autoritetet në Kabul.

Kujtojmë se talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht tw vitit 2021 gjatë largimit kaotik të trupave amerikane dhe NATO-s pas 20 vjetësh. Pavarësisht premtimeve fillestare për një qëndrim më të moderuar, talebanët gradualisht riimponuan një interpretim të ashpër të ligjit islamik, ose Sheriatit, siç bënë gjatë sundimit të tyre të mëparshëm të Afganistanit nga viti 1996 deri në 2001.

Top Channel