Në Kuvend, shqyrtohet këtë të enjte akti normativ për ndryshime në Buxhetin e vitit 2024. Ministri i Financave, Ervin Mete, u shpreh se akti reflekton ndryshimet e nevojshme në buxhet në kuadër të riorganizimit të ministrive sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë.
Mete tha se ekonomia ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë vitit 2023 dhe se kjo ecuri e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024. Sipas tij, inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo mesatarja e Bashkimit Europian duke zbritur në muajin shkurt në nivelin 2.6%.
“Konsolidimi fiskal shënoi një tjetër arritje pozitive. Borxhi publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60% të PBB-së, duke arritur në 59.2% në fund të vitit 2023, niveli më i ulët që nga viti 2010. Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen”.
Përmirësim të ndjeshëm, – shtoi ai, ka shënuar edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat kontributive arritën në 134 miliardë lekë në vitin 2023, dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës së vitit 2015.
“Konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8% të PBB-së në vitin 2023, që rezulton edhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93% e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve. Me Aktin Normativ të prezantuar sot janë rishikuar në rritje të ardhurat për vitin 2024, duke arritur në 28.2% e PBB-së, që përbën nivelin më të lartë historik të synuar. Sa i përket shpenzimeve publike, për vitin 2023, ato arritën afro 675 miliardë lekë, me një realizim 95.6% sipas planit vjetor të ndryshuar me aktin normativ të dhjetorit”.
Pjesë e rëndësishme e këtij Akti Normativ është mbështetja përmes Instrumentit të Garancisë Shtetërore, në vlerë prej 4 miliardë lekë për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason. Ministri Mete informoi se buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Ministri tregoi se brenda muajit të ardhshëm, do të detajohet rritja e pagave për punonjësit e administratës publike, për të caktuar sa do të rritet rroga për secilin kategori.
Po ashtu, në buxhetin 2024 do të realizohet indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për 717 mijë pensionistë. Sektorët e Arsimit dhe Shëndetësisë do të vijojnë të financohen në nivelin mbi 3% të PBB-së. Ndërsa për sektorin e Mbrojtjes për herë të parë arrihet objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së.
Top Channel