Ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë, njëherazi zv/kryeministrja Belinda Balluku tha në fjalën e mbajtur këtë të enjte në seancën plenare se projekti i ri i Portit të Durrësit nuk mund të ndërtohet me PPP (Partneritetin Publik Privat), pasi është aset kombëtar i një rëndësie të veçantë.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se ‘ndihet e shqetësuar që opozita përdor këtë projekt me strategji rajonale për ta kthyer në një kalë beteje pasi me të vërtetë këtu preket interesi kombëtar, preket interesi i të gjithë shqiptarëve dhe kjo nuk është një çështje për ta kthyer në një lojë politike’.
Fjala e ministres Balluku në Kuvend:
“Sigurisht që Porti i Durrësit është një nga projektet më të mëdha, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin, pasi jeni në dijeni që porti i ri i Durrësit në Porto Romano nuk do ti shërbejë vetëm Shqipërisë, por është i lidhur me dy porte të thata, me portin që do të ndërtohet në Strugë për ti shërbyer Maqedonisë së Veriut dhe portin që do të ndërtohet në Prishtinë për ti shërbyer Kosovës. Megjithatë për ti dhënë përgjigje të gjithë akuzave të këtyre ditëve përsa i përket këtij projekti strategjik.
E para e punës, zanafilla e krijimit të Porto Romanos si zonë industriale e dedikuar fillon në vitin 2009 nga qeveria juaj. Në vitin 2009 me vendim të kryeministrit Berisha në atë kohë u vendos që të krijohej një pjesë e re portuale për transportin e likuideve, ashtu siç dhe sot kemi në Porto Romano dy koncesione të mallrave likuide të cilat operojnë aty prej vitesh. Madje e gjithë zona është shpallur me destinacion për përpunimin e këtyre mallrave në rrugë detare dhe plani i parë zhvillimor i zonës daton në vitin 2009-2010. Ndaj kjo tematikë duhet të përbënte konsensus mes palëve dhe duhet të ishit të gjithë dakord pasi ju e keni dizenjuar zonën e Porto Romanos si një zonë industriale detare.
Megjithatë akuzat vazhdojnë. Sot pyesni pse po bëhet me paratë e buxhetit të shtetit dhe unë nuk besoj që ju e keni më të vërtetë këtë pyetje, është thjesht një demagogji momentale, të cilën po përdorni pasi ju keni dëgjuar shumë mirë prej dy vjetësh që ajo zonë nuk do të jetë vetëm një zonë detare tregtare, por do të jetë edhe një zonë militare e cila është dizenjuar tashmë dhe ka një koordinimin dhe ne e kemi njoftuar këtë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s para një viti. Është prezantuar si një zonë e domosdoshme për ushtrinë shqiptare dhe për të gjithë partnerët dhe aleatët e NATO-s dhe ka nisur nga puna dhe ju këtë duhet ta dini që në këtë paketën prej 390 milionë eurosh e cila do të shërbejë për ngritjen e strukturës bazike, 175 milionë janë të dedikuara për punime në infrastrukturë detarë parësore ku ka të bëjë me kanalin hyrës, ka të bëjë me basenin, sigurisht edhe me dallgëthyesin, që nuk do ti shërbejnë vetëm portit tregtar, por do ti shërbejnë edhe portit militar që do të ngrihet në zonë.
Ky investim është pjesë e angazhimit tonë si anëtar të aleancës dhe është përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë për të rritur përqindjen e investimeve në mbrojtje në raport me PBB e vendit. Në këtë këndvështrim kemi të bëjmë me aset publik i cili nuk mund të ndërtohet me PPP apo nuk mund të jepet me koncesion palëve të tjera, pasi është një aset kombëtar i një rëndësie të veçantë, ashtu siç ka ndodhur edhe me asetet e tjera të infrastrukturës kritike. Nga ana tjetër me të vërtetë jemi të keq ardhur, ndjehemi të shqetësuar që opozita përdor këtë projekt me strategji rajonale për ta kthyer në një kalë beteje pasi me të vërtetë këtu preket interesi kombëtar, preket interesi i të gjithë shqiptarëve dhe kjo nuk është një çështje për ta kthyer në një lojë politike.
Ndërkohë përsa i përket zhvendosjes së portit të Durrësit në zonën e Porto Romanos më leni që t’ju sqaroj pasi thoni që do ngelet Durrësi pa port, nuk i dihet nëse do të ndërtohet. Ky është projekti më transparent dhe më i detajuar që Republika e Shqipërisë ka bërë në historinë e pluralizmit pasi gjithçka, çdo hap nga studimi fizibilitetit tek projekti i detajuar dhe gjithçka tjetër janë bërë përmes garave ndërkombëtare. Këtu nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe për hapjen e një porti tjetër, por këtu bëhet fjalë për dy porte. Një port turistik, që do të jetë ai që sot është porti tregtar dhe një port tregtar dhe militar në zonën e Porto Romanos.
Sigurisht ju e dini, por përsëritja është mëma e dijes. Përsa i përket portit turistik, Marinës së Durrësit, ju të gjithë e dini që aty ka një ndërmarrje të përbashkët midis investitorit të huaj dhe Qeverisë Shqiptare. Dhe Qeveria Shqiptare aty gëzon 33% të aksioneve dhe sigurisht do të jetë një nga portet turistike më të rëndësishme të Mesdheut dhe nuk përjashton dhe as nuk vë në risk pasjen e një porti tjetër komercial dhe militar në zonën e Porto Romanos.
Kini parasysh që kostot e portit të Porto Romanos, siç e kemi deklaruar dhe siç janë të shprehura dhe në aktin normativ, janë 390 milionë euro, kjo kosto pa tvsh, të ardhura të parashikuara nga dy projekte portuale. Në Durrës janë 280 milionë euro të ardhura direkte nga marina e Durrësit si divident, ndërkohë që 1 miliardë euro të ardhura nga tatimet, taksat dhe kontributet që sjell ky projekt, pra projekti i Marinës së Durrësit, pasi ka një keqinformim kur thoni që ka përjashtim nga taksat, pasi nuk ka asnjë përjashtim nga taksat, përveç taksës së infrastrukturës që ka qenë pjesë e negocimit dhe e marrëveshjes. Për të gjitha taksat e tjera sigurisht do të performojë ashtu siç parashikon ligji fiskal në Republikën e Shqipërisë.
Ndërkohë, kini parasysh që porti i ri që do të ndërtohet në Porto Romano, porti i ri i cili është dizenjuar nga një nga kompanitë e ekselencës, nga Royal Haskoning, kompania holandeze, parashikon që të ketë dyfishin e thellësisë të porteve që ne kemi pasur deri më sot në Republikën e Shqipërisë duke krijuar kështu një pol të ri ndërkombëtar të industrisë detare. Një port të ri ndërkombëtar i cili parashikon që të dyfishojë volumet të cilat përpunohen sot në portin e Durrësit duke rritur kështu të ardhurat direkte dhe indirekte në ekonominë shqiptare.
Përsa i përket kredisë që ju thoni duhet të keni parasysh e para e punës nuk është e Bankës Botërore, ka qenë një kredi e BERZH-it e cila është aplikuar për tu marrë në 2010-ën dhe në 2019-ën, pas 9 vitesh kur është bërë aprovimi i saj, Republika e Shqipërisë kishte avancuar me një strategji të re detare për ngritjen e marinave turistike, pasi marinat turistike duhen në këtë vend ku priten 14 milionë turistë. Nuk mund të thoni sot që duhet të vazhdojmë të mbajmë në zemër të Durrësit një port i cili ngarkon dhe shkarkon mallra ndotëse për ambientin. Krijon ndotje akustike dhe padyshim një trafik nga automjetet e rënda që nuk mund të jetë në asnjë zemër të një qyteti europian që parashikon të jetë një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe.
Dhe më lejoni t’ju kujtoj diçka. Nuk bëhej fjalë për zgjerimin e portit të Durrësit. Bëhej fjalë për përforcimin e kalatës 1 dhe 2. Përforcimi i kalatës 1 dhe 2 duhej të bëhej për të shtuar kapacitetet mbajtëse të këtyre kalatave përsa i përket mallrave të tonazhit. Ndërkohë që strategjia e re kombëtare detare ka të bëjë me një zhvillim të mirë studiuar ku i jepet përparësi turizmit dhe krijohen nukla të reja detare përsa i përket një modernizimi total të kësaj industrie.
Kështu që rrini të qetë. Me BE-në e kemi diskutuar gjerë dhe gjatë këtë projekt. Me BE-në kemi dakordësuar për anulimin e asaj kredie e cila pas 9 vitesh nga aplikimi nuk përputhej me strategjinë kombëtare të vendit tonë dhe nuk besoj që ndonjëri nga ju nuk e kupton që në 9 vite vendi ndryshon pozicionet ekonomike, ndryshon qasjen që ka ndaj tregut dhe sigurisht asgjë nuk është e shkruar në gur dhe prandaj janë kontratat, prandaj janë marrëveshjet që dhe të rishikohen.
Kështu që porti i Durrësit duhej të ishte krenaria juaj, ashtu siç është krenaria e çdo shqiptari, ju nuk duhet të merrni çdo projekt dhe ta bëni copash sidomos kur bëhet fjalë për të vendosur Shqipërinë në një pozicion të ri gjeopolitik dhe duke i dhënë Shqipërisë një rëndësi të veçantë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Mesdheun”.
Top Channel