Nga Agron Gjekmarkaj
Kronika me veten në qendër dhe të tjerët anash
U nisa drejt Kuvendit tashmë me një peshë të madhe mbi supe. Unë Zevendes Lider i përgjithshëm dhe i përhershëm në krah të Liderit në perspektivë Gazi dhe Jorushit të Tabakeve e çamë rrugën me krenari për në sallë. E kisha ëndërruar këtë ditë që të shfaqesha në krah të Kryezevendes Liderit Muli po nuk qe e thënë. U ndjeva pak jetim ndonëse Gazi më këshillonte, “kokën lart, drejt shikimin”! Ashtu bëra eca si kolos i bindur që gjithë historia po më shikonte. Nga pas me ngjante se njerëzia plot besim në mua thërriste “kolosi alabar, kolosi akbar”.
Jorushi herë pas here fliste për paudhësitë dhe gjëmat që bota përreth i punonte orë e çast. Ne i thonim ata tutje ti tehu dhe buzëqeshja i rikthehej si këndellje lubrifikuese mbi mekanizmat e partisë në lëvizje së cilës i del në teh si ikonë.
Na kishte marrë malli për pak paqe pas muajsh luftë anipse mbi rroba kishim kudo gjurmët e saj dhe aroma e barutit mpakur nuk ishte. Luftëtarët dukeshin si pensionistë.
Majko nën shembullin e veteranëve shikonte ku mund të ngriheshin lapidarët e qëndresës partizane ku pionerët e partisë të vinin në të ardhmen kurora me lule. Një pllakë këtu për Dilon, një tjetër për Vullnetin, një gur për Bafton jepte udhezime. Gjeneral Kollçaku dëshironte një stendë memorial të armëve të përdorura.
Muçua si nip Hoti e kishte ndarë mendjen që 50 vjeç do bëhej trim per herë të parë dhe erdhi si Çeçua e foli si e ëma e Zeqos. Pastaj Lindita e dëboi. Braçja zihej me veten dhe të tjeret, fliste me veten që të dëgjonin të tjerët. Klotilda kishte rënë në të thella ndiente nostalgji për kohen kur gijotina punonte për marshallah.
Shalsi kishte dilema politike teksa bënte pyetjen dikur mbronim Muçon mos e rrihte Salianji tani duhet të mbrojmë ju mos ju kopanis Muçua. Kjo ishte shumë e thellë edhe për vete Tonin i cili si klerik dëshiron që haka të shkojë tek i zoti. Klosi dhe Etilda u zhytën në mërmërima të zgjatura në biseda të një rëndësie parësore siç është evolimi i motit orë pas ore. Ndonjëherë rënkimi i Blerinës hynte në mes si murla dhe ata pyesnin u prish koha?
Laertit i kishte rënë një prishaqejfllëk prej të papuni. Në parti po lulëzon mpirja, ikën ditët kur qahej e qeshej si tezja, ku lotorja mbushej plot me lot gëzimi e hidhërimi. Çyrbja po kaq vertitej në maraz. Kujtonte kohët kur thirrej “Çyrbja i krimit”, kur alltia dhe pisqolla kërciste si në karadak tani i vinte të fshihej në një shpellë si Muji e Halili kur forca e krahut u mund nga plumbi. Bora kishte rënë në një meditim të ëmbël e krehur gjithë merak e naze.Pse i ka Babo zët seancat dukej sikur mundohej?
Xhemal Qefalia tund kokën pa pushim dhe i thoshte Nasipit “ka rënë shumë niveli i diskutimeve, askush nuk i referohet Konfucit atij burri të lartë që më ndriçon udhët e mendimit”. Nasua I xhevaposej “hall të madh ke vëlla”. Moskuptimi është emblema e modernitetit.
Dash Sula një domate si gjyle nxorri. Ministrat të gjithë u fshehën. Në mes më gjet Luan Baçi i cili e ndjek virtytin nga pas si gjahtari lepurin. Kosta i Gramozit dhe Linditës dëgjon nga llozha fjalimet dhe psherëtin dembelueshëm “jallanë kjo dynja”. Ai pret me padurim ti vërë për fill trazimet llaf i Antonetës.
Albana e menduar pasi akuzoi Babon se ka dorë mbi gratë vërtitet nëpër sallë, shpesh bën sikur nuk më sheh duke më sembuar në gji e ndonjëherë më ngjatëton duke ma kthyer gëzimin. Qerrateshën do ta kallëzoj tek Zonja Kalaja dhe Zonja Garo. Ato më kanë xhan.
Tao u kthye, gusha e të cilit ishte tkurrur qamet nga një dietë e fortë mesdhetare. Sapo Mamica kthehej, nata largohej. Ikte ajo, terri si tis binte mbi qeverinë e lodhur së perserituri një fjalim 12 vjeçar. Çuçi shikonte nga Bela e cila gjerbte një kafë që nuk kishte të sosur gati me melankoli, i pasigurtë në duhej të shfaqej entuziast apo i zymtë. Ulsiu hapte me gojë kur fliste Braçe, shpirti i lypte paqe e trupi gjumë. Nikoqiri ishte si i hequr nga gripi dhe prerja e barkut. Tani po flet Ibrahimaj, kronika mbyllet vetvetiu. Dhurata Çupit e sapo kthyer nga Athina, Dash Sula i dukej si Leonidha në Termopile. Salianji pasi ngatërroi gjithë dynjanë iku edhe nga akçihanja e Parlamentit.
Top Channel