Gjykata e Lartë urdhëroi disa ditë më parë që dosja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, dhe të regjistrohet procedim penal ndaj Berishës, Bashës dhe Prendit.
I pari ish-kryeministër, i dyti ish-ministër i Brendshëm dhe i treti (ekzekutori) ish-kreu i Gardës së Republikës. Një vendim që i hap rrugë zbardhjes së një nga ngjarjeve më të rënda, me pasoja në jetë njerëzish, ku e implikuar është kupola shtetërore. Në atë kohë, makineria e pushtetit tentoi që të manipulonte masakrën shtetërore, ku të parët “në radhë” ishin dy mjekët e Spitalit ushtarak, Sami Koçeku dhe Alfred Gega. Dy të fundit dolën 13 vite më parë, në derën e Urgjencës së Spitalit Ushtarak, duke bërë deklarata para gazetarëve.
Ishte pasditja e 21 janarit 2011, ku Koçeku dhe Gega, do të deklaronin se vdekja e protestuesve kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt. Mjekët, njëri kirurg dhe tjetri ortoped, morën përsipër të bënin edhe punën e ekspertit balistik dhe atributet e mjekëve ligjorë. “Janë nga qitje me armë zjarri nga distanca të shkurtra” thanë mjekët.
Këto deklarata, vetëm sa i hodhën benzinë zjarrit, pasi mazhoranca e asaj kohe kërkonte me ngulm manipulimin me çdo kusht të gjurmëve të masakrës. Koçeku dhe Gega ishin unison me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, i cili deklaronte pa asnjë provë se viktimat u vranë nga protestues të pajisur me thika me helm dhe çadra pistoletë. Por, ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha fushat e tjera, edhe mjekët iu nënshtruan në atë kohë presionit dhe shantazhit politik. Duke i shërbyer atij që të jep rrogën! Madje, dy mjekët, Koçeku dhe Gega kanë qenë me poste drejtuese në Spitalin Ushtarak, për një kohë të gjatë.
Për herë të parë, pas 13 vitesh, mjeku Sami Koçeku pranoi të jepte një intervistë për Fiks Fare dhe të shpjegonte ato deklarata. Ai pranon se, në janar 2021, ka qenë Drejtor i Qendrës Kombëtare të Traumës dhe zv. drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak. “Kam qenë Drejtor i Traumës dhe zv.drejtor i Përgjithshëm i Spitalit të Traumës” tha Koçeku, në kohën kur ndodhën vrasjet gjatë “21 Janarit”.
Vitet kaluan dhe dy mjekët, Koçeku dhe Gega, u “shpërblyen” nga Partia Demokratike për ato deklarata. Sami Koçeku, në vitin 2021, u fut në listën e primareve të Partisë Demokratike, duke konkurruar për t’u zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës. Emri i tij ishte në Njësinë Nr.7, ku ai garoi bashkë me disa figura kryesore të PD-së. “Në vitin 2021 kam qenë në listën e primareve. Kam marrë minus 7 vota. Kam dalë më mirë se z. Rrushaj dhe znj. Vokshi”, pohon ai.
Ndërkohë, doktori tjetër, Alfred Gega, është mjek ortoped. Aktualisht punon po në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në janar 2011, Gega ka qenë vetëm mjek. Disa javë më vonë, ai u emërua nga Ministria e Shëndetësisë zv.drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak. Fiks Fare kontaktoi edhe me doktor Alfred Gegën, për t’i marrë një prononcim për ato deklarata dhe karrierën politike. Por, ai nuk pranoi! Tha se ishte ngjarje shumë e vjetër.
Karriera në politikë e z. Gega ka qenë më e suksesshme se ajo e z. Koçeku. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ai ka qenë kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar i Bashkisë së Maliqit. Madje, prezantimin si kandidat e ka bërë vetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. “Kam nderin t’ju paraqes mjekun Alfred Gega, për të cilin unë vij në këmbë nga Tirana” tha Meta. Në atë takim elektoral në Korçë, ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar sërish z. Gega. Madje, z. Berisha foli me superlativa për mjekun, të cilin e mbështeti në zgjedhjet lokale 2023, por që kandidati i tij, që e mbrojti më 21 janar, humbi!
Top Channel