Të dënuarit dhe të paraburgosurit në IEVP 313 në Tiranë, që janë gjykuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, u janë drejtuar me një letër të hapur deputetëve të Parlamentit shqiptar, për t’u përfshirë në amnisti.
Në letër, ata thonë se janë dënuar për të njëjtat vepra si të burgosurit e tjerë që janë pjesë e amnistisë, që pritet të votohet në Kuvend, si kultivimi i bimëve narkotike apo kalimi i paligjshëm i kufirit, ndaj duan barazi.
“Besoj të na mirëkuptoni për letrën që po ju shkruajmë. Kjo letër ju vjen në emër të të paraburgosurve dhe burgosurve nga IVP 313 Tiranë, të gjykuar dhe dënuar nga GJKKO. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë deputetëve të parlamentit shqiptar amnisti dhe falje për gjykatën e posaçme, sepse jemi në popull, jemi të gjithë bashkëvuajtës, janë të drejtat e njeriut për barazi, pasi janë të njëjtat vepra penale si kultivimi i bimës narkotike, kalimi i paligjshëm i kufirit etj. Po ju kërkojmë, sepse jemi dënuar nga drejtësia për herë të parë po vuajmë dënimin, masa alternative nuk kemi dhe po na dënon drejtësia dhe të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar.
Do donim mirëkuptimin tuaj, sepse dhe ne si bashkëvuajtësit tanë, kemi familje, prindër, motra, vëllezër dhe fëmijë që na presin. Kjo që po bëjnë ata, është shkelje e të drejtave të njeriut, jemi njerëz, hallexhinj, fatkeq. Ju lutem, edhe njëherë të na mirëkuptoni Top Channel, besimi i popullit shqiptar, besimi jonë. Me respekt, Çunat e SPAK-ut”, shkruhet në letrën e tyre.
Top Channel