Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje nga takimi i sotëm ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në një komunikatë për media thuhet se në takim u bisedua rreth diskutimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Bislimi e informoi ambasadorin Hovenier mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim, fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm.

Ai shtoi se për “ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj”, gjë të cilën siç thuhet në komunikatë, ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës serbe ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj. Sa i përket rregullores së BQK-së, Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Në takim u trajtuan edhe tema të tjera që janë diskutuar dje në Bruksel, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.

Sot pas takimit me Bislimin, ambasadori amerikan kërkoi të ndryshohet mënyra e zbatimit të Rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb. Ai tha se Bislimi nuk i ka treguar propozimet e Kosovës për çështjen e dinarit, pasi ka thënë se Qeveria po punon në to, derisa është shprehur optimist edhe për takimin e paralajmëruar për javën e ardhshme. Hovenier gjithashtu tha se ka parë shenja pozitive nga takimi që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur të martën në Bruksel, teksa iu përgjigj edhe kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nënvizoi se Kosova ka garanci të mëdha të sigurisë, pasi NATO është e gatshme të përgjigjet nëse është nevoja. Pas takimit një ditë më parë në Bruksel, Kosova dhe Serbia do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, deri më 22 mars, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.

Top Channel