Pasaporta false, mosdeklarim parash dhe të shpallur në kërkim/ Policia kufitare “me dorë të hekurt”, 4 në pranga

20/03/2024 13:55

Katër persona janë vënë në pranga policia në tre pika kufitare të vendit dhe një tjetër është ndjekur penalisht, për vepra të ndryshme penale.

Në Morinë u ndalua shtetasi kosovar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Jeton Dervishaj, 38 vjeç. Gjykata në Hungari e ka dënuar atë, me 2 vjet burgim, për kalim të kundërligjshëm emigrantësh, ndërsa Gjykata e Lartë në Serbi ka lëshuar ndaj tij, urdhër arresti, për të njëjtën veprimtari kriminale. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit.

Në dalje u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. M., 26 vjeç dhe L. C., 23 vjeç, pasi kanë paraqitur 2 pasaporta që dyshohet se janë të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan këto 2 dokumente.

Në hyrje u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Hasan Gatali (Qazimi), 40 vjeç, sepse Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 9 muaj burgim, për veprën penale “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”.

Në Portin e Durrësit u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar Rr. I., 54 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan më cilësinë e provës materiale, rreth 17 000 euro që ky shtetas synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente të juridiksionit të përgjithshëm, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA