“Ndryshimet kushtetuese të 2008 përmbysën balancën institucionale”, Basha: Duhet sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe me votim elektronik

20/03/2024 12:38

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se takimi i kësaj të mërkurë nuk është i rastësishëm, pasi nesër është afati i fundit i komisioni të reformës zgjedhore.

Ai theksoi se ka kërkuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik.

“Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas kodit zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtetë zgjedhore. Nesër është afati i fundit i komisioni të reformës zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politik, partitë politike opozitare mbahet sot pikërisht si një kambanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak. Detyra jonë në një situatë normale është hartimi ose shpalosja të një alternative të plotë dhe të besueshme qeverisëse. Po përgjegjësia për të zgjedhur atë, apo për të vazhduar për t’u qeverisur nga monarkët e post-tranzicionit, është e qytetarëve shqiptarë. Por nuk jemi akoma aty. Nuk jemi akoma aty sepse për shkak të 2008-ës qytetarët e kanë të pamundur të finalizojnë vullnetin e tyre. Sepse siç e kemi parë zgjedhje pas zgjedhjesh, një jo shumicë qytetarësh, kthehet në një shumicë politike qeverisëse. Legjitimiteti i pushtetit është thellësisht i cënuar”, tha Basha.

“Si Parti Demokratike, në kontekstin aktual të zhvillimeve ne kemi kërkuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik. Kombinimi i këtyre rrethanave, bën të mundur dhe votimin e diasporës masivisht, efektivisht dhe pa probleme apo mundësi manipulimi. Listat e hapura nuk i kërkojmë për veten tonë. Në fakt nisur nga interesi i ngushtë, një kryetar partie nuk do të dorëzonte një pushtet shtesë krejtësisht të pamerituar që mori me sistemin e 2008-ës. Por listat e hapura janë një farë kompensimi për një mazhoritar të pastër dhe mundësojnë që shqiptarët të dërgojnë në parlament burrat dhe gratë që ata mendojnë se meritojnë t’i përfaqësojnë. Por që listat të jenë të hapura dhe të mos përfundojmë përsëri në një masakër me 85 mijë vota të pavlefshme plotë 8 mandate, ndërkohë diferenca mes opozitës dhe mazhorancës është 7 mandate na duhet votimi dhe numërimi elektronik. Votimi dhe numërimi elektronik është provuar në 4 procese zgjedhore dhe ka rezultuar i suksesshëm dhe që kundërshtohet pa asnjë argument. Ndërsa sistemi Kombëtar jo vetëm i jep fund deformimit të votës, duke zhvleftësuar  e një qytetari në Kukës në raport me qytetarin në Vlorë vetëm për interesa të ngushta politike.  Por bën po kështu duke e trajtuar Shqipërinë si një zonë elektorale, të heqim grykën e shishes që pamundëson efektivisht votën e emigrantëve. Këto janë propozimet tona institucionele. Të dorëzuara në detaje në nëntor të vitit të kaluar në komisionin bipartizan të reformës zgjedhore, paketa e dytë. Ndërkohë paketa e parë merret me problematikat konkrete të parandalimit të shitblerjes së votës, të aseteve shtetërore, të administratës publike etj”, shtoi ai.

Top Channel