Blinken jep alarmin: Tashmë, e gjithë popullsia e Gazës rrezikon urinë, pasoja afatgjata!

20/03/2024 11:55

Dy milionë banorët e Gazës po përjetojnë “nivele të rënda të pasigurisë akute ushqimore”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Kjo ishte hera e parë që një popullsi e tërë klasifikohet në këtë mënyrë pohoi ai kur u pyet nga BBC për kushtet e vështira në territor. Shefi i diplomacisë amerikane i bëri thirrje Izraelit që t’i japë përparësi sigurimit të ndihmave për personat që kanë më shumë nevojë.

“Në bazë të matjeve më seriozë për çështje të tilla, 100% e popullsisë së Gazës është në rrezik nga mungesa e ushqimit. Unë do të vizitoj Arabinë Saudite dhe Egjiptin për të diskutuar lidhur me dërgimin e ndihmave dhe një armëpushim të mundshëm”, tha Blinken.

Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se veriu i Gazës mund të përballet me zinë e bukës deri në maj nëse nuk do të ketë ndërprerje të luftimeve dhe një rritje të ndihmave. Paralajmërimi i Blinken erdhi gjatë një udhëtimi në Filipine, ndërsa planifikohet udhëtimi i tij i gjashtë në Lindjen e Mesme që nga tetori, teksa përpjekjet për të siguruar një armëpushim vazhdojnë. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se kufizimet e palës izraelite për ndihmat mund të konsiderohen si përdorim i urisë si “armë lufte”. Sipas Martin Frick, drejtor i zyrës së Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP) në Gjermani, mungesa e ushqimit do të ketë pasoja afatgjata për popullsinë palestineze. “Njerëzit kanë provuar gjithçka për të mbijetuar dhe tani janë të rraskapitur nga gjithçka që kanë provuar ,” tha Frick, duke shtuar se për të mbijetuar njerëzit kishin ngrënë ushqim për kafshët dhe bar.Ai shpjegoi se zia e bukës në Gazë do të ketë efekte afatgjata, veçanërisht te fëmijët.

“Një fëmijë që nuk merr ushqim të mjaftueshëm në fazën kritike të rritjes rrezikon të jetë i paaftë për gjithë jetën,” tha ai duke shtuar se një në tre fëmijë në Gazë është tani i kequshqyer në formë akute.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA