U arrestua në Skoci, pasi iu zbulua ‘shtëpia e barit’ me vlerë 600,000 paund, 25-vjeçari shqiptar pret deportimin nga Britania (Fotot)

19/03/2024 21:49

Një tjetër emigrant shqiptar e ka pësuar nga zyrtarët e rendit në Britani teksa është kapur në një shtëpi bari për të cilën kujdesej ilegalisht.

Megjithse kishte tentuar të largohej me vrap, Hekuran Binaj, është kapur nga policia në Broxburn, të Skocisë, ku kishte ngritur “plantacionet e tij” në dhomat e katit të sipërm, nje ‘fermë’ që sipas zyrtarëve arrinte në vlerë rreth 600,000 paundë.

Binaj ishte lokalizuar në banesën e tij kur policia ekzaminoi një celular të flakur nga një i dyshuar për shpërndarje drogash në zonën e Lanarkshire, u tha sot në gjykatë.

Nga celulari zyrtarët zbuluan se Binaj – qytetar shqiptar i ardhur me kamion në Britani pasi kishte paguar trafikantë, banonte në adresën 38 Craigseaton, Broxburn.

Kur oficerët mbërritën në adresë ata panë të gjitha grilat mbyllur dhe gjithashtu njohën erën e fortë të kanabisit dhe zhurmën e ventilatorëve, u tha në gjykatën vendase të Livingston.

Oficerët tregonin në gjykatë sesi kishin dalë në pjesën e prapme të shtëpisë ku kishin pikasur Binaj duke i ndjekur me sy nga një prej dritareve.

Policet i thanë atij të hapte derën e të dilte, dhe ai e bëri, por në momentin e fundit ia krisi vrapit për të shmangur arrestimin. Oficerët e kapën atë pas disa orësh.

Kontrolli i shtëpisë zbuloi se tre dhomat e gjumit në katin e sipërm ishin kthyer në ferma kanabisi.

Prokurori Neil Martin, tha se në deklaratën e tij Binaj thoshte se ishte detyruar nga trafikantë që për të paguar borxhet e udhëtimit, të kujdesej për bimët.

Ai tha se kishte ardhur nga Londra në Skoci një javë para arrestimit.

Martin shtoi: “Ai pretendon se është kontaktuar nga një grup burrash në Londër që i ofruan ndihmë për të siguruar paratë. Për këtë ai duhet të kultivonte bimët ilegale. Megjithëse kishte refuzuar, i arrestuari pretendon se ishte kërcënuar dhe detyruar të qëndronte në këtë adresë e të ujiste bimët.”

Avokati tha se Binaj ishte i penduar dhe dëshironte të kthehej në Shqipëri pasi ‘kishte mamin sëmurë’.

Sherifi Martin Edington plotësoi dëshirën e të akuzuarit për kthimin në Shqipëri, por pas kryerjes së dënimit me 20 muaj burg./DailyM<ail/

FOTO GALERI
2/3
Kur oficerët mbërritën në adresë ata panë të gjitha grilat mbyllur dhe gjithashtu njohën erën e fortë të kanabisit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA