“Pas 30 vitesh, Shkodra me semaforë”, Rama: Shembulli më ulëritës që tregon se PS është e vetmja forcë progresi në vend

19/03/2024 17:05

Në Shkodër, janë vendosur sot semaforët e parë në rrugë të ndryshme të qytetit.

Nëpërmjet një postimi në facebook, kryeministri Edi Rama i cili ditë më parë, gjatë një inspektimi në qytet, e theksoi problemin e mungesës së semaforëve në Shkodër, ka publikuar një video të punimeve për vendosjen e semaforëve në kryeqendrën e veriut.

Mes të tjerash, Rama shkruan se mungesa e semaforëve gjatë gjithë periudhës që qyteti ka qenë qeverisur nga PD, është shembull se PS është e vetmja forcë progresi.

“A e dini se Shkodra s’kishte asnjë semafor, as edhe një, qoftë edhe një shtyllë semafori të ngulur si tentativë, në 30 vjet liri-demokraci? Tani jo për të ngacmuar të vdekurit e pakallur, as për të thënë largqoftë se çoç po ndodh, po fakti që më në fund edhe Shkodra do të ketë semaforë, është mbase shembulli më ulëritës mes mijëra shembujve të cilët tregojnë pse e vetmja forcë civilizimi, progresi, modernizimi në Shqipëri, është Partia Socialiste”– shkruan kryeministri.

Top Channel