Ndihmuan emigrantët e paligjshëm të kalonin kufirin, prokuroria e Durrësit mbyll hetimet për 11 të akuzuarit

19/03/2024 14:55

Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet për 11 personat e akuzuar se ndihmuan emigrantët sirian, afgan e marokenë të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin.

Prej disa vitesh Shqipëria po përdoret si trampolinë për kalimin e emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, pasi kishte regjistruar procedimin penal nr. 1044 date 21.06.2023 për veprën penale  “Ndihma për kalim te paligjshëm te kufijve” parashikuar nga neni  298/3 të K Penal, përfundoi hetimet këtë mes marsi dhe ka vendosur dërgimin për gjykim të procedimit penal në ngarkim të njëmbëdhjetë të pandehurve për të cilët janë caktuar dhe ekzekutuar masat e sigurimit personal, vjeshtën e kaluar.

Pas hetimeve në dinamikë dhe me metoda proaktive u arrit të vërtetohet akuza për kryerjen e veprës penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal, të disa bashkëpunëtorëve në kryerjen e kësaj vepre penale. Çështja është hetuar nga prokurori Madrid Kullolli.

Nga analiza e fakteve dhe provave të mbledhura në funksion të procedimit penal nr.1044/2023 rezultoi e provuar se personat nën hetim Daniel Sina, Emiljan Sina, Fatmir Kapa, Hume Murrizi, Fatjon Ukaj, B.M, Etleva Piro me veprime aktive të kundra ligjshme kanë ndihmuar në strehimin, shoqërimin, transportimin e emigrantëve të paligjshëm për kalimin e kufirit nga Greqia, në Shqipëri  dhe transportimin e tyre në drejtim të Shkodrës  me qëllim që të kalonin kufirin më Malin e Zi. Personat nën hetim duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë ndihmuar 62 (nga të cilët 25 emigrantë kanë arritur të kalojnë kufirin dhe 37 prej tyre janë ndaluar nga policia Gjyqësore së bashku me autorët e veprave penale)  emigrantët për të kaluar në mënyrë ta paligjshëm kufijtë, duke vepruar më shumë se një herë dhe kundrejt fitimit,  e duke konsumuar  në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.

Gjithashtu personat nën hetim Adrijan Tema dhe Ledion Koçiu kanë ndihmuar autorët e krimit duke marrë makina me qera me qëllim përdorimin për transportin e emigrantëve të paligjshëm në rastin e Adrijan Tema dhe duke tërhequr vlerat monetare nga shoqëritë e transfertave në rastin e Ledion Koçiu. Si rrjedhojë kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.

Personat nën hetim Regina Hyka dhe Shani Piro kanë pasur dijeni për veprimtarinë e paligjshëm të ndihmës së strehimit, transportimit të emigrantëve. Personat nën hetim janë kapur në flagrancë gjatë momenteve të transportimit dhe strehimit të emigrantëve të paligjshëm si rrjedhojë kanë konsumuar elementët e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Ndërkohë gjatë hetimit të këtij procedimi penal u bë e mundur, zbulimi, hetimi  dhe regjistrimi edhe i tre procedimeve penale të tjera në ngarkim të  katër shtetasve të cilët u kapën në flagrancë me gjithsej 21 emigrant të paligjshëm, për të cilët vijuan hetimet nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për dy procedim dhe Durrës procedimi i tretë.

Sa më sipër, duke vlerësuar se zbulimi, hetimi dhe dërgimi për gjykim i krimeve të kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror  është një nga veprat penale në fokus të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, rezulton se  në rastin konkretë është kryer një hetim i shpejt efikas dhe i gjithanshëm për parandalimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të një numri të lartë të pandehurish të cilët kanë kryer veprat penale në fushën e kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror.

Nga ana e  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese dhe veçanërisht Policinë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, vijon puna për parandalimin dhe goditjen e rasteve te kryerjes së veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal, dhe të gjitha llojeve të veprave penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA