Frika e shtrirjes së konfliktit në Lindjen e Mesme u ripërtëri mëngjesin e sotëm me lëvizjen e fundit të Izraelit i cili goditi me raketa disa objektiva ushtarake jashtë kryeqytetit të Sirisë, Damask.
Ministria siriane e mbrojtjes deklaroi se forcat vendase kanë arritur të rrëzonin disa prej raketave të shtetit hebre. Presidenti sirian Bashar Al Assad pati mbështetjen e fortë të Iranit gjatë konfliktit të brendshëm gati 12-vjeçar të Sirisë. E pikërisht për shkak të përkrahjes së rivalit të tij të madh ndaj Damaskut dhe grupit libanez Hezbollah, Izraeli ka kryer sulme të rregullta ajrore me qëllimin të frenojë fuqinë ushtarake të Teheranit jashtë kufijve të Iranit.
Por këto sulme janë duke i shtuar ndjeshëm tensionet që pasuan masakrën e Hamasit në Izrael në 7 tetor. Disa oficerë të Gardës Revolucionare iraniane janë vrarë në sulmet që dyshohet se Izraeli ka kryer në Siri që nga dhjetori. Ndërkohë, për herë të parë ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian ranë dakord në një takim në Bruksel të vendosin sanksione kundër kolonëve radikalë izraelitë në Bregun Perëndimor.
Planet e tyre pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim. Hungaria njoftoi se nuk do ta bllokojë më këtë proces. Masat përfshijnë ndalimin e hyrjes në vendet e BE-së dhe ngrirjen e aseteve për individë të caktuar. Shkak i planeve për sanksionet janë aktet e dhunshme të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve – veçanërisht pas masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor. Sulmet si dhe ndërtimi i vendbanimeve, shihen si një nga pengesat për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje afatgjatë të paqes në konfliktin e Lindjes së Mesme.
Top Channel