Dosja e CEZ-DIA nën hetim nga prokuroria e posaçme SPAK, vazhdon të jetë e hapur dhe tu shkaktojë shqetësime zyrtarëve të lartë.
I radhës që u thirr, ishte ish ministri i Energjetikës Nasip Naço, i cili konfirmoi se kishte dhënë deklaratën e tij si person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit.
“Jam thirrur për të deklaruar në lidhje çështjen penale që ka të bëjë me kompaninë CEZ. Në atë kohë kam pasur qëndrim korrekt. Kam folur me letra, jo në heshtje. Fakti që atë kohë për shkak të abuzimeve që bënte kjo kompani me qytetarët apo interesat e shtetit, unë kam ndryshuar ligjin për energjinë elektrike duke nxjerrë jashtë sistemit të energjisë elektrike disa kompani të mëdha në atë kohë që kishin 20% të tregut të CEZ dhe kjo kompani e kishte më të lehtë të faturonte dhe komunikonte me ta më lehtë se me qytetarët. Ky fakt i kurse buxhetit të shtetit 40 milionë euro dhe nxori këto kompani në treg të lirë. Sigurisht që ata që notonin në ujëra të turbullta në atë kohë dhe spekulonin morën një përgjigje që pas miratimit të këtij ligji, ish drejtori i CEZ u shkarkua nga detyra dhe Kastriot Ismailajt iu ndërpre kontrata dhe besoj se miratimi i ligjit ka folur gjithçka”, tha ai për mediat.
Dosja CEZ-DIA u hap pas denoncimit të juristit Romeo Kara, ndërkohë një hetim i mëparshëm ka shpallur vetëm një shtetas fajtor i cili e ka përfunduar dënimin, ndërsa dy të tjerëve vijojnë të jenë ende në gjykim në dhomën penale të Tiranës.
Top Channel