Leta Koci, një 42-vjeçare, nënë e 5 fëmijëve, ndodhet tashmë në një shtrat spitali, e arrestuar për vrasjen e foshnjës së saj.
Ngjarja makabre u zbulua pasi gruaja e cila kishte kryer lindje në shtëpi pa asnjë asistencë mjekësore pësoi hemorragji dhe u transportua në maternitet. Bluzat e bardha pasi mësuan ngjarjen e rëndë njoftuan policinë.
Në bazë të dëshmisë së gruas policia mbërriti këtu në lumin e Tapizës, ku gjeti buzë rrjedhës në një grumbull mbeturinash foshnjën e porsalindur të pajete dhe të mbështjellë me një qese plastike. Trupi i pajetë u transportua në morgun e kryeqytetit ku do ti nënshtrohet analizave mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Në shtëpinë e familjes Koçi, ka rënë heshtja. Pas arrestimit të gruas, bashkëshorti po kujdeset për gjithçka i nevojitet në maternitet ku po kurohet ndërsa në shtëpi ndodhen 2 prej 5 fëmijëve të kësaj familje. Të pyetur nga policia, të gjithë kanë thënë se nuk e kanë ditur se 42-vjeçarja ka qenë shtatzënë dhe as mbi motivet që e shtynë për vrasjen e foshnjës së saj. Të njëjtën gjë pohojnë dhe fqinjët, të cilët ngjarjen e mësuan vetëm pasi në zonë mbërriti policia.
Nga verifikimet që policia ka bërë, ka rezultuar se lindjen gruaja e ka bërë në tualetin e shtëpisë e vetme dhe më pas ka larguar foshnjën nga shtëpia, duke e hedhur buzë lumit rreth 100 metra larg banesës së saj. Më vonë, i kanë filluar komplikacionet shëndetësore dhe ka kërkuar ndihmën e të motrës që e ka fqinje dhe së bashku kanë shkuar në maternitet ku dhe u arrestua në flagrancë. Mbi të rëndon akuza e vrasjes së foshnjës, vepër penale për të cilën rrezikon deri në 5 vite burgim.
Top Channel