Basha dhe Rithemelimi bëjnë rokadë/ Debati në komisionet kuvendore për “marrëveshjen me socialistët”

19/03/2024 15:19

Dy  muaj pas shfaqjes të paprecedentë mes demokratësh në Komisionin e Medias, të djathtët hodhën pas të shkuarën dhe nisën bashkëjetesën e përbashkët në Kuvend.

Tashmë, pozicionet kanë ndryshuar dhe nëse dikur ishin shenjestër e sulmeve, sot janë deputetët e Bashës ata që akuzojnë demokratët e Berishës për pazar me Edi Ramën.

“Besoj se kjo është në dëm të demokracisë që keni bërë këtë lloj marrëveshje duke bërë spektakël 5 muaj në Kvuend dhe ne fund arrini të prishni projekte që ndihmojnë demokracinë ne vend por  turpi ti mbetet atyre që kanë bërë këto marrëveshje“, tha Merita Bakiu, deputete e PD-së zyrtare.

“Interesi  opozitës ka qenë respektimi i Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit dhe jeta parlamentare është shumë e rëndësishme. Ajo që ndodhi në 6 muaj ishte që mazhoranca nuk pranonte te respektonte të drejtat kushtetuese te opozitës, sikurse është ngritja e komisioneve. Me vjen mirë që pranuat të respektoni Kushtetutën dhe të hetojmë”, u shpreh deputetja që mbështet Rithemelimin, Ina Zhupa.

Të gjendur mes akuzave të zonjave demokrate, Evis Kushi sqaroi pozicionin e socialisteve në këtë debat.

“Dua ta theksoj se s’kemi qenë të interesuar që ju të mungoni dhe as kemi ndërmarrë një marrëveshje, aq më pak të fshehtë, jemi konsistent ne qëndrimet tona, kemi kërkuar të rishikoni objektin e komisioneve hetimore dhe e bëtë”, tha Kushi, nënkryetare e Komisionit të Medias.

Konsensusi që u arrit në Parlament  me bekimin e Sali Berishës ka zemëruar jo vetëm deputetët qe kontrollohen nga Basha, por edhe besnikët e liderit të Rithemelimit, të cilët janë të pakënaqur me atë që mori opozita në tryezën e negociatave.

Top Channel