Begaj dekretoi ligjin për Zonat e Mbrojtura, Bardhi: Presidenti humbi mundësinë për të qenë shërbyes i interesit publik

18/03/2024 18:45

Gazment Bardhi, ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi ligjin për Zonat e Mbrojtura pasditen e sotme.

Deputeti e konsideroi këtë si një “mundësi të humbur” nga Begaj për të qenë në krah të interesit të publikut. Sipas Bardhit, dekretimi i këtij ligji, provon se presidenti nuk ka parësor interesin e qytetarëve.

“Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar. Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”– tha Bardhi.

Më tej, ai risolli në vëmendje faktin se që prej marrjes së detyrës, Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, duke e akuzuar kreun e shtetit se ka miratuar ligje “me porosi”.

“Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.
Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”
– përfundon deputeti në reagimin e tij.

Top Channel