Në periudhën e fundvitit, paga mesatare sipas INSTAT, u rrit në 75 mijë lekë, 13.7% më shumë se një vit më parë.
Kjo shënon një vlerë rekord, ndërsa një faktor kryesor luajti reforma e pagave në administratën publike. Në vitin që lamë pas tendenca kryesore është fakti se privati nuk eci me të njëjtat ritme si shteti për rritjen e pagave, duke thelluar hendekun. Kështu në shtet pagat u rritën me 14 659 lek, ndërsa në privat me 8 457 lek ose dyfish më pak.
Sipas ekspertëve bizneset luajnë sipas rregullave të tregut dhe kërkesës që vjen nga ato.
“Privati ka dinamika të tjera privati ka dinamikën e tregut dhe ndodh që në momenti kur ti je në kompeticion me bizneset e tjera mundet të rrisësh pagën deri në një moment të caktuar, deri sa të lejon një fitim të caktuar dhe sa të lejon rritja e kostove të tjera. Nuk mund të krahasojmë rritjen që bën shteti një herë në tre apo katër vjet me rritjen që privati bën atëherë kur nevojitet”, tha Mateo Spaho.
E ndërsa rritja e pagës mesatare këtë vit ka qenë në nivele rekord ndikuar edhe inflacioni, sërish produktiviteti i punës ka rënë ndjeshëm sipas Bankës së Shqipërisë. Ekspertët shprehen se duhet më shumë financim
“Rritja e nivelit të pagave në fakt është një sfidë për bizneset për transformimin e tyre për zhvillimin e tyre. Nëse duam të arrijmë me pagat tona Hungarinë, Rumaninë apo Sllovakinë zona që janë në BE sot do duhet që produktet tona të kenë vlerë të lartë të shtuar, që të mos jemi vetëm krah pune, por edhe mendje pune”, theksoi eksperti.
Qeveria duket se është fare pranë qëllimit të saj për ta dërguar pagën mesatare në shtet pranë kufirit 900 euro, ndërsa gjatë korrikut është përgatitur paketa e dytë për rritjen e pagave.
Top Channel